“Po dëmtohen mijëra familje”, Fermerët Kosovarë të Qumështit: Pse po shënjestërohet VITA?

Shoqata “Fermerët Kosovarë të Qumështit” ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit rreth Qumështores VITA.

Në një reagim, kjo shoqatë ka numëruar miliona litra qumshtë që prodhohen nga fermerët e Kosovës e që dorëzohen në qumështoren VITA.

“21 milionë litra qumësht në vitin 2025. 9,5 milionë litra vetëm në katër muaj të vitit 2026. Këto janë miliona litra qumësht të prodhuara nga fermerët e Kosovës dhe të dorëzuara në Qumështoren VITA. Sot, kur vetë Ministri konfirmoi se në analizat e qumështit VITA nuk është gjetur vaj palme, ne fermerët kërkojmë përgjigje: ku kanë shkuar gjithë këto miliona litra qumësht dhe pse vazhdon të vihet në shënjestër një qumështore që grumbullon qumështin tonë?”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate.

Fermerët Kosovarë të Qumështit kanë thënë se mënyra se si institucionet e trajtuan këtë situatë i ka dëmtuar mijëra fermerë dhe familje.

“Kënd po e mbroni, Ministër? Me mënyrën se si është trajtuar kjo situatë janë dëmtuar mijëra fermerë dhe familje që varen nga prodhimi i qumështit. Kur goditet një prodhues që grumbullon miliona litra qumësht vendor, goditet drejtpërdrejt fermeri i Kosovës”, thuhet në reagim.

Në vend të pasigurisë, sipas reagimit, fermerët kanë nevojë për treg, stabilitet dhe mbështetje përballë presionit të importeve.

“Ky është qumështi ynë. Kjo është puna jonë. Ne kërkojmë përgjigje dhe përgjegjësi”, thuhet tutje, duke kërkuar që të ndalohet propaganda politike dhe të lihet të punojë fermeri kosovar. /