Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, ka kritikuar ashpër Albin Kurtin, duke e akuzuar se po ndjek një agjendë të majtë dhe se synon, sipas tij, krijimin e një modeli të ri politik në Kosovë.
Abazi në emisionin “DPT me Fidanin” në Klan Kosova, tha se Kurti është pjesë e një kontinuiteti të së majtës politike, të cilën ai e lidhi me ish-udhëheqësin komunist, Fadil Hoxha.
Ideja është që duhet me shpallë ‘Republikën e tretë’ me një kushtetutë, e cila nuk e përfill procesin politik të krijimit të shtetit të Kosovës, formulimin e shtetit edhe kushtetutës, ju po e shihni, sot kur po flasim unë, ti, nuk ka strukturë e cila është e bazuar në kushtetutë. Sot Kosova është në një anarki të plotë politike pa përfaqësim politik. Kurti ka arritur që ta mbivendos qëndrimin politik mbi Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kushtetuta është eksplicite, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është eksplicit për formimin e institucioneve. Nëse 60 herë e ka propozuar Albulena Haxhiun për me bërë kryetare të parlamentit edhe s’ka arritur me bë se s’i ka pasur numrat sot, nuk po e bën kryetarin e parlamentit edhe pse i ka”, deklaroi Abazi.
Sipas tij, në Kosovë tashmë është krijuar një situatë ku, siç pretendon ai, qëndrimi politik i Kurtit po mbivendoset mbi Kushtetutën e vendit.
Abazi kritikoi edhe procesin e formimit të institucioneve, duke thënë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe dispozitat kushtetuese, sipas tij, nuk po respektohen.
Në fund, ai deklaroi se, sipas tij, pas viteve të qeverisjes së Kurtit dhe shpenzimeve të mëdha publike, nuk është realizuar ndonjë projekt që ai e konsideron madhor.








