Komunikatë e përbashkët e UEFA-s, AFC-së dhe CONCACAF-it kundër FIFA-s dhe Infantinos

UEFA, AFC dhe CONCACAF kanë publikuar një komunikatë të përbashkët, duke deklaruar se presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka tradhtuar besimin e tyre “përmes mashtrimit” me propozimin për shitjen e pjesëmarrjeve në të drejtat e Botërorit.

Komunikata thekson se futbolli “nuk i përket asnjë personi apo institucioni, por lojtarëve, tifozëve, klubeve, federatave dhe institucioneve që kujdesen për të ardhmen e tij”. Presidentët Alexander Čeferin, Víctor Montagliani dhe Salman Bin Ibrahim Al Khalifa nënvizojnë se zhvillimi i futbollit gjatë dekadës së fundit ishte rezultat i punës së përbashkët të FIFA-s, konfederatave dhe federatave.

Për ta, çështja nuk është paraja, por “integriteti i futbollit dhe i udhëheqjes së tij”. Ata thonë se besimi është thyer dhe se Infantino e ka vendosur veten mbi kolektivin që i ka besuar autoritetin.

Sipas tyre, FIFA e ka paraqitur polemikën si “gabim komunikimi”, ndërsa ishte “gabim gjykimi”. Ata kritikojnë edhe afatet e shkurtra për shqyrtimin e projektit, duke i konsideruar të qëllimshme për të kufizuar kontrollin.

Tri konfederatat kërkojnë që hetimi të kryhet nga një palë plotësisht e pavarur, jo nga vetë FIFA. Ata kritikojnë gjithashtu faktin që në mbledhjen e drejtuesve në Marok më 6 gusht nuk mori pjesë asnjë anëtar i Këshillit të FIFA-s apo federatave anëtare.

Komunikata përfundon: “Forca e futbollit ka qenë gjithmonë uniteti i tij. Iu bëjmë thirrje drejtuesve t’i shërbejnë futbollit, në vend që të përpiqen ta dominojnë atë”.