Flakët përpijnë malin e Krujës, gazetarja rrëfen si nisi zjarri: Dora e njeriut… (VIDEO)

Zjarri i madh që përfshiu Krujën një ditë më parë dyshohet se është shkaktuar nga pakujdesia e një banori.

Gazetarja e Euronews, Ledjana Braçja, ka deklaruar se, sipas të dhënave të deritanishme, zjarri dyshohet të ketë nisur nga një 73-vjeçar me mbiemrin Berhami, i cili po digjte disa mbetje pranë banesës së tij.

“…Siç rezulton nga të dhënat, gjithmonë janë njerëzit, dora e njeriut, ata që e nxisin ose e ndezin zjarrin. Edhe në rastin e Krujës ka qenë pikërisht një 73-vjeçar, me mbiemrin Berhami, i cili, duke djegur disa mbetje në banesën e tij, zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe më pas ka vazhduar, ashtu siç edhe e pamë”, tha Braçja për emisionin “Ora 7” në Klan Kosova.

Zjarri detyroi banorët e zonës të evakuoheshin, ndërsa në operacionin për shuarjen e flakëve u angazhuan mbi 200 efektivë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura, si dhe rreth 80 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.

Zjarri tashmë është shuar dhe, sipas raportimit të mediave shqiptare nuk pati persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale mbeten për t’u vlerësuar. /