Nga Ivan Zazzaroni*
E lexova intervistën që Paolo Maldini dha për “Corriere della Sera” dhe disa nga përgjigjet e tij m’u dukën të mangëta. E theksoj që në fillim dhe po e përsëris për herë të fundit: nëse pas “jo”-së së Guardiolës do të kishin emëruar si trajner të kombëtares Antonio Conten, i cili, meqë ra fjala, është vetëm dy vjet më i madh se Pep dhe nuk mund të konsiderohet as trajner mbrojtës, as humbës; Paolo dhe Leonardo do të ishin ende në postet e tyre.
1. Në kohën e Gravinës, organigrama e FIGC parashikonte tashmë një drejtor teknik: Viscidin.
2. Paolo thotë: “Ne donim që formimi i të rinjve të bazohej jo tek ekzaltimi i tepërt taktik, por te teknika”. Dikush kishte menduar tashmë për këtë. Me sa di unë, atyre iu ishte dorëzuar “Projekti teknik i futbollit të të rinjve italianë”, i prezantuar për mediat 18 marsin e kaluar dhe i hartuar nga Zambrotta dhe Perrotta. Ndër pikat kryesore të tij ishte rikthimi në qendër i lojtarit, teknikës dhe kohës së zotërimit të topit. Një projekt i destinuar për fëmijët nga 5 deri në 12 vjeç, i cili parashikonte gjithashtu bashkimin nën një strukturë të vetme të Sektorit Teknik, veprimtarisë së të rinjve dhe “Club Italia”.
3. “Malagò na ndaloi De Rossin dhe Grosson.” Janë rregullat ato që ndalojnë negocimin me trajnerë (dhe lojtarë) që janë nën kontratë. A e bëjnë të gjithë këtë? Po, por kur je institucion, është më mirë ta shmangësh.
Dikush duhet t’ia shpjegojë Paolos strukturën dhe funksionet e FIGC, duke saktësuar se të vetmit që vendosin politikën e zhvillimit dhe promovimit të lojtarëve janë klubet. Në ‘Coverciano’ mbërrijnë lojtarë të formuar nga klubet.
Një trajner si Conte do të kishte garantuar rezultatin sportiv dhe, rrjedhimisht, mundësinë që drejtuesit e rinj të zhvillonin më në fund një program afatgjatë. Nëse kombëtarja nuk jep rezultate në fushë, presidentët dhe drejtuesit e federatës bëjnë gati valixhet dhe shkojnë në shtëpi.
4. “Kam folur me Marotta dhe Percassi dhe nuk më kanë dhënë emra”. Në çdo rast, fjalët e Urbano Cairo, dhe nuk bëhet fjalë për dikë dosido, nuk mund të interpretohen ndryshe: “Klubet donin Antonion”.
P.S. Guardiola është një trajner i jashtëzakonshëm, por, pavarësisht trofeve të shumta dhe personalitetit të padiskutueshëm, dyshoj se do të kishte mundur të punonte me axurrët më shumë se një javë çdo dy muaj. Pyetni Spallettin dhe Gattuson. Ose Mancinin.
Kam vlerësim për Paolon, ashtu siç e çmoja shumë dhe, në mënyrë të ndërsjellë, babain e tij Cesare, por sa i përket vetisë si i pakompromisitë, i referohem një batute të të madhit Marcello Marchesi: “I pakompromis? Kush gabon, qëllohet”.
(Të kuptohemi: vetëm në mënyrë metaforike; kampioni Maldini mbetet një legjendë e paprekshme).
* Drejtor i “Corriere dello Sport”








