Alarmet për sigurinë në Botërorin 2026, zbulohet plani për atentat ndaj Leo Messit

Detajet e sigurisë nga Botërori i fundit i futbollit zbulojnë një tablo shqetësuese. Sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, një raport i policisë amerikane ka zbuluar ndërhyrjet e përbashkëta të FBI-së dhe IPCC-së (Qendra për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Policor) për neutralizimin e kërcënimeve me rrezik të lartë ndaj lojtarëve dhe arbitrave.

Plani kundër Messit – Lojtari më i shënjestruar ishte Lionel Messi. Para ndeshjes së grupeve Argjentinë-Jordani, një telefonatë në aeroportin e Dallasit ngriti alarmin maksimal. Një burrë kërcënoi se do të hynte në stadium me dy bashkëpunëtorë, i armatosur me një pushkë sulmi AR-15 dhe bomba artizanale, duke e cilësuar hapur Messin si objektiv.

Para 1/8 finaleve, Argjentinë-Egjipt, një person publikoi në rrjetet sociale: “Do të hyj në stadiumin e Atlantës dhe do ta hedh në erë Messin me katër bomba të lidhura në trup”. Gjatë ndeshjes, një telefonatë anonime raportoi bomba në koshat e tribunave, por qentë antieksplozivë konfirmuan se ishte alarm fals.

Rrezik edhe për CR7 – FIFA alarmoi FBI-në për një person që kërkonte informacione konfidenciale mbi hotelin e Portugalisë. Ai u arrestua dy ditë më pas brenda hotelit në Houston. Në Toronto, një tjetër person tentoi të hynte në ashensorin e rezervuar për Ronaldon, duke thënë se donte vetëm një “selfie”.

Stuhia e urrejtjes ndaj arbitrave – François Letexier mori mbi 6.000 mesazhe urrejtjeje dhe kërcënime me vdekje në WhatsApp pas Argjentinë-Egjipt. E njëjta gjë i ndodhi edhe arbitrit të VAR-it, Willy Delajod. Për shkak të kërcënimeve, autoritetet franceze vendosën masa të posaçme mbrojtjeje për banesat dhe familjet e tyre.