Rubrika “Legjendat Flasin” sjell në episodin e radhës një nga emrat më të rëndësishëm të futbollit shqiptar, Lorik Canën. Ish-kapiteni i kombëtares flet në një intervistë për “fshf.org” mbi rrugëtimin e tij në futboll, duke nisur nga hapat e parë të karrierës e deri te mbyllja e saj në vitin 2016.
Në intervistë, Cana ndalet tek eksperiencat me klubet ku është aktivizuar, nga PSG, Olympique Marseille, Sunderland, Galatasaray, Lazio dhe Nantes, duke kujtuar momentet më të rëndësishme të karrierës së tij, sfidat, trajnerët me të cilët ka punuar dhe vendimet që kanë shoqëruar rrugëtimin e tij si futbollist.
Një pjesë e veçantë i kushtohet kombëtares shqiptare. Lorik Cana rikthen në vëmendje zgjedhjen për të përfaqësuar Shqipërinë, debutimin me fanellën kuqezi, vitet si kapiten, rrugëtimin drejt kualifikimit historik në “EURO 2016”, si edhe disa prej ndeshjeve më të rëndësishme të asaj periudhe.
Në bisedë, ish-kapiteni ndan edhe mendimet e tij për kombëtaren aktuale, rolin e liderit brenda grupit, si dhe për elementët që, sipas tij, kanë ndikuar më shumë në ndërtimin e karrierës. Intervista prek gjithashtu edhe jetën e tij jashtë futbollit, familjen, angazhimet pas tërheqjes nga sporti dhe pasionin për historinë dhe arkeologjinë.
Intervistën e plotë me Lorik Canën për rubrikën “Legjendat Flasin” mund ta ndiqni në kanalin zyrtar në Youtube të FSHFs-ë dhe në FSHF TV TV.








