Pas përfundimit të afatit kushtetues, deputetët rikthehen sot në seancën konstituive.
Në rend dite është zgjedhja e Kryetarit dhe nënkryetarëve.
Partitë opozitare kanë qëndruar mbrëmë në ambientet e Kuvendit deri në orën 00:00, afat ky që ishte paraparë sipas kushtetueses për konstituimin e Kuvendit të Kosovë.
Ndiqni live të gjitha zhvillimet nga Kuvendi i Kosovës në Klan Kosova dhe .
Çka tha Cakolli për mbylljen dyerve të sallës plenare?
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka kritikuar veprimin e administratës së Kuvendit me mbylljen e dyerve të sallës plenare për deputetët e partive ish-opozitare.
Këtë veprim, ai e quajti “skandaloz” dhe të “papranueshëm”.
“Absolutisht skandaloze dhe e papranueshme që deputetëve t’u mbyllet dera e sallës plenare dhe, rrjedhimisht, t’u pamundësohet fizikisht ushtrimi i funksionit”.
Përmes një postimi në Facebook mbrëmë, Cakolli fajtor për këtë veprim e bëri kryesuesin e Seancës Konstituive, Avni Dehari, për të cilin tha se “nuk ka kurrfarë autoriteti mbi hapjen, mbylljen apo qasjen fizike në sallë”.
“Kompetenca e tij kufizohet në drejtimin e punimeve të seancës. Administrata, ndërkaq, ekziston për t’i mbështetur deputetët dhe për t’ua mundësuar ushtrimin efektiv të mandatit, jo për t’i penguar ata”, shkroi më tej Cakolli.
Ai kërkoi që të dihet se “kush e mori këtë vendim dhe sipas urdhrit të kujt veproi Administrata”.
“Rasti kërkon llogaridhënie, përgjegjësi institucionale dhe disiplinore, e madje, sipas rrethanave, vlerësimin edhe të çdo përgjegjësie tjetër ligjore. Këto pamje nuk i përkasin një shteti demokratik. Tek e fundit, salla plenare i përket vetëm dhe vetëm deputetëve të Kuvendit”, potencoi Eugen Cakolli.
Takimet me Kurtin, Haziri: Sa herë që ftohemi, do të takohemi
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur mbrëmë për takimet e kësaj partie me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Ai deklaroi se bashkëpunimi për këtë parti është vlerë dhe jo dobësi.
“Sa herë që ftohemi, kemi me u taku. 24 orë, 7 ditë të javës. LDK-ja ka me u taku. Bashkëpunimi për ne është vlerë, nuk është dobësi. Ne do të vazhdojmë me bashkëpunu me gjithë ata që në frymën e Kushtetutës së Republikës sonë e ndërtojnë dhe e zhvillojnë. Nuk shoh opsion tjetër dhe LDK-ja nuk sheh opsion tjetër”, tha Haziri.
Gjini: Kurti po ia qet faqen e zezë vendit
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar mbrëmjen e së premtes pas zhvillimeve të fundit politike në vend, duke kritikuar ashpër kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Gjini, përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se Kosova po përballet me një situatë që po shihet me shqetësim nga qytetarët dhe miqtë e saj, ndërsa kundërshtarët e vendit po e shohin me gëzim.
“Sonte Kosovën e shohin me dhimbje qytetarët dhe miqtë tanë! Sonte Kosovën e shohin me gëzim të gjithë armiqtë”, ka shkruar Gjini.
Ai i është drejtuar drejtpërdrejt Kurtit, duke e akuzuar se po e dëmton rëndë vendin dhe po e çon Kosovën në një drejtim të rrezikshëm.
“Albin Kurti, ti po ia qet faqen e zezë vendit tonë. Po e fut në një rrugë të rrezikshme, në drejtim shkatërrues. Ke për t’u gjykuar rëndë për këtë fatkeqësi që po gatuan”, ka deklaruar Gjini.
Në fund, kryetari i Aleancës është shprehur optimist për të ardhmen e Kosovës, duke thënë se vendi do të forcohet dhe zhvillohet pavarësisht dëmit që, sipas tij, po shkaktohet nga qeverisja e Kurtit.
“Kosova jonë ka me u forcu, e me u rrit, pa ty. Përkundër dëmit që po ia shkakton. Ndërsa edhe ata që të ndjekin qorrazi, njëjtë do të përfundojnë”, tha Gjini.
Hamza: PDK do të ndërmarrë veprime ligjore për mbrojtjen e Kushtetutës
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, është deklaruar mbrëmë pas skadimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
Hamza tha se PDK ka qenë e gatshme për të marrë pjesë në seancën konstituive, ku do të zgjidhej kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.
“Administrata e Republikës së Kosovës, fatkeqësisht edhe në këtë aspekt që është çështje teknike, do të thotë administrata e Kuvendit i ka dyert e mbyllura. Jemi këtu për të treguar gatishmërinë tonë për pjesëmarrje në seancën konstituive të Kuvendit, kur është dashur të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët, të konsituohet Kuvendi dhe pastaj të procesohet edhe me zgjedhjen e institucioneve të reja të vendit”, tha Hamza.
Ai e cilësoi moskonstituimin e Kuvendit si mosrespektim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se afati 30-ditor pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve duhet të respektohej.
“Kemi të bëjmë me mosrespektim të mendimit dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që është i saktë dhe preciz, që thotë se Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet 30 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore. Kjo është shkelje e Kushtetutës, mosrespektim i aktit më të lartë, cenim i demokracisë dhe marrje në dorë e institucioneve në mënyrë antikushtetuese”, u shpreh Hamza.








