Seanca u thirr të shtunën – a e shkeli Avni Dehari Kushtetutën? (VIDEO)

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka folur lidhur me vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit për ditën e nesërme, ndonëse sipas tij afati kushtetues për përfundimin e procesit skadon sonte në mesnatë.

Në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Kryeziu tha se Kushtetuta e përcakton qartë afatin brenda të cilit duhet të konstituohet parlamenti.

“Do të thotë, kjo është e sanksionuar me Kushtetutë. Neni 66 i Kushtetutës përcakton shumë qartë se, në momentin kur shpallen zgjedhjet zyrtare dhe bëhen publike, prej atij momenti duhet të kalojnë maksimalisht 30 ditë që të konstituohet parlamenti”, tha ai.

Sipas tij, konstituimi nuk nënkupton fillimin e procesit në ditën e 30-të, por përfundimin e tij brenda këtij afati.

“Këto situata, domethënë, janë të paprecedenta sipas mendimit tim dhe nuk ka pasur nevojë të veprohet në këtë mënyrë, sepse kanë pasur mundësi që brenda 30 ditëve ta konstituojnë parlamentin, brenda 15 ditësh, brenda 10 ditësh, pra të konstituohet parlamenti.  Duke pasur parasysh që nuk e kanë kuptuar ose nuk kanë dashur ta kuptojnë, atëherë këtu shtesë e kemi edhe një vendim, një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, i cili e definon shumë saktë. Aty thuhet se konstituimi i parlamentit duhet të bëhet brenda 30 ditësh. Është urdhër.

“Është urdhër nga Gjykata Kushtetuese, duke pasur parasysh se nuk kanë mundur ta interpretojnë mirë nenin 66 të Kushtetutës. Domethënë, urdhri është që ju deputetë keni detyrë që brenda 30 ditësh, maksimalisht, ta konstituoni parlamentin dhe ky është urdhër. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë detyruese. Nëse shkelen, ato kanë pasoja dhe efekte juridike”, tha Kryeziu.

Ndiqni deklaratën e plotë: