Kapet në Gjermani, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për vjedhje të rëndë

Policia e Kosovës ka njoftuar se, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet relevante policore dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar sot ekstradimin e një shtetasi kosovar nga Gjermania për në Kosovë.

Bëhet e ditur se i dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet gjermane pasi ndaj tij ishte lëshuar letërreshtim ndërkombëtar përmes INTERPOL-it nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.

Ai kërkohej për dyshime lidhur me veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Ekstradimi është realizuar në bazë të ligjeve në fuqi dhe falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Gjermanisë, transmeton Klankosova.tv.

Pas kthimit në Kosovë, i dyshuari i është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës, të cilat do të vazhdojnë me procedurat e mëtejshme ligjore.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të aktiviteteve kriminale, si dhe të gjurmimit dhe arrestimit të personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.