Irani ka njoftuar se ka arritur një marrëveshje me Omanin për përcaktimin e koordinatave gjeografike të një korridori të propozuar detar në Ngushticën e Hormuzit, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë qenë të përfshira në këtë proces.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, deklaroi se Teherani dhe Muscati po përgatisin një deklaratë të përbashkët, e cila do të përfshijë aspektet teknike, ligjore, të sigurisë dhe mjedisore të marrëveshjes, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.
Ndërkohë, mediat iraniane, duke cituar burime zyrtare, raportojnë se rihapja e plotë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit do të varet nga përfundimi i asaj që Irani e quan bllokadë detare amerikane ndaj porteve të tij.
Një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes mbetet kërkesa e Teheranit për të vendosur tarifa për kalimin e anijeve nëpër ngushticë, duke pretenduar se ka kontroll sovran mbi këtë rrugë strategjike detare. Kjo bie ndesh me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Gjirit, të cilat insistojnë se lundrimi duhet të mbetet i lirë, në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS).







