Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se deri më tani askush nuk ka kërkuar mbështetjen e kësaj partie, ndërsa ka theksuar se PDK-ja nuk ka zhvilluar diskutime për ndarjen e pozitave.
“Tash kemi mbledhjen e Grupit Parlamentar. Askush nuk ka kërkuar përkrahje prej neve. Edhe në të kaluarën nuk është që i kanë përkrahur kandidatët e PDK-së. Sa i përket çështjes së nënkryetarëve, ne e kemi një nënkryetar dhe, si parti e dytë për nga numri i ulëseve, e përkrahim kandidatin e propozuar nga PDK-ja për atë pozitë”, tha Hamza para fillimit të seancës konstituive.
Ai ritheksoi se qëndrimi i PDK-së mbetet i pandryshuar dhe se prioritet janë programi dhe politikat, e jo ndarja e posteve.
“Qëndrimi i PDK-së është konsistent. Ne kemi shkuar në zgjedhje, kemi kërkuar votën e qytetarëve me një program për ekonomi, drejtësi dhe energji. Nëse nuk kemi dakordim për këto prioritete, është absurde të flasim për tema të tjera”, u shpreh ai, njofton Klankosova.tv.
I pyetur nëse ka pasur bisedime për pozita institucionale, Hamza u përgjigj shkurt: “Nuk kemi diskutuar fare.”







