FIFA mblidhet në kulmin e kaosit, rikonfirmon mbështetjen e plotë për Infantinon

FIFA ka rikonfirmuar mbështetjen e plotë për presidentin Gianni Infantino pas një takimi në Rabat të Marokut. Në një komunikatë zyrtare thuhet se sekretari i përgjithshëm dhe anëtarët e Këshillit të FIFA-s “riafirmuan mbështetjen e tyre të plotë për presidentin Gianni Infantino, si i vetmi zyrtar i zgjedhur nga 211 federatat anëtare të FIFA-s”.

Nga ana tjetër, Infantino shprehu mbështetjen e tij për sekretarin e përgjithshëm dhe administratën, punën e tyre. Takimi trajtoi edhe projektin “FIFA Forward Enterprise” (FFE), ku u pranuan gabimet e bëra. FIFA pranoi se procesi duhej menaxhuar ndryshe dhe se federatat anëtare dhe Këshilli i FIFA-s nuk duhej të ndiheshin të përjashtuara.

Projekti FFE, që do të kërkonte miratimin e federatave dhe Këshillit të FIFA-s, tashmë është hequr nga agjenda. FIFA deklaroi se nuk do të tolerojë më sulme ndaj integritetit, qeverisjes së mirë dhe procedurave të saj.

“Gjithmonë ka mësime për t’u nxjerrë dhe FIFA do të vazhdojë t’i përmirësojë proceset e saj”, – thuhet në komunikatë, duke theksuar se pavarësisht gabimeve, veprimet ishin në përputhje me rregulloret e organizatës.

 

 

al”>Telesport.