Ambalazhuesit e ujit, Aliu pas intervistimit si i dyshuar: Kam vepruar në përputhje me ligjin

Ish-ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, është deklaruar për media pas përfundimit të intervistimit të tij nga ana e Prokurorisë Speciale lidhur me rastin për ambalazhuesit e ujit.

Ai tha se pas intervistimit të tij, ai ndihet i lehtësuar, pasi sipas tij, ai sqaroi gjithë rastin para Prokurorisë, transmeton Klankosova.tv.

“Është lehtësim që pas dy vitesh heshtje, pata mundësinë ta sqarojë situatën para Prokurorisë për gjithë atë sulm dhe pretendim ndaj meje, i cili ka degraduar aq shumë, por që unë jam përgjigjur me heshtje deri më tani. Pata mundësinë për ta sqaruar që për gjithë procesin, për gjithë periudhën sa unë kam qenë ministër, kam vepruar në përputhje me ligjin, kam vepruar sipas rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, nuk ka asnjë vendim i cili mund të me ndërlidh mua me këtë proces”, tha Aliu.

“Po ashtu për pretendimin për mosveprim, i tërë rasti ka qenë i audituar nga Zyra Kombëtare e Audimit, ka pasur rekomandime dhe është vepruar në bazë të rekomandimeve, ka pasur edhe hetim i cili e qartëon shumë qartë pozitën e ministrit si staf politik karshi punës në administratë. Ka qenë rast i mirë që pata mundësinë ta sqaroj nga fillimi deri në fund të gjithë punën, dhe tani jam i lehtësuar”, tha ai.