Akuza tronditëse ndaj Infantinos: Na shantazhuan. Nëse mbështesnim rizgjedhjen e tij, FIFA do të na ndihmonte

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ndodhet në qendër të një stuhie të re polemikash. Sipas mediave spanjolle, ai ka thirrur një mbledhje urgjente për t’iu përgjigjur akuzave të shumta që janë ngritur ditët e fundit.

Pas kritikave publike të Arsène Wenger dhe sekretarit të përgjithshëm të FIFA-s, Mattias Grafström, të cilët u distancuan nga projekti i diskutueshëm i Infantinos, një tjetër goditje ka ardhur nga Princi Ali bin Al Hussein i Jordanisë.

Në një postim të gjatë në rrjetin social “X”, ai akuzoi drejtpërdrejt Infantinon për shantazh, duke renditur disa probleme që, sipas tij, ka hasur Federata Jordaneze e Futbollit.

“Dua të sqaroj disa çështje nga këndvështrimi i federatës sonë. Jordania mori pjesë për herë të parë në një Kupë Bote. Jemi një vend i vogël me buxhet shumë të kufizuar dhe jemi përballur me pengesa të mëdha”, – shkroi ai.

Princi Ali deklaroi se shumë tifozëve jordanezë nuk iu dhanë vizat për të hyrë në SHBA, pavarësisht se kishin bileta të blera me çmime shumë të larta. Ai shtoi gjithashtu se qeveria amerikane, nëpërmjet FIFA-s, vendosi taksa mbi pjesëmarrjen e Jordanisë në turne, kosto që, sipas tij, duhej të mbuloheshin nga fondet e destinuara për lojtarët dhe stafin.

Një tjetër akuzë lidhet me shpërblimet financiare të papaguara për Kupën Arabe të zhvilluar në Katar: “Që prej dhjetorit presim pagesën e shpërblimeve që iu detyrohen lojtarëve tanë për Kupën Arabe. Shuma që i takon ekipit tonë për arritjen në finale ende nuk është paguar, ndërsa FIFA mburret me miliarda dollarë rezerva”.

Akuza më e rëndë vjen në fund të deklaratës së tij: “Për muaj të tërë FIFA refuzoi të na ndihmonte për këto dhe çështje të tjera. Më pas, gjatë Kupës së Botës, më thanë verbalisht se nëse mbështesja rizgjedhjen e Infantinos, federata jonë do të ndihmohej ndjeshëm. Në Jordani jemi krenarë që mbrojmë vlerat etike. Nuk e kemi bërë këtë në të kaluarën dhe sigurisht nuk do ta bëjmë as tani. E gjitha kjo është shantazh, të cilit ne refuzojmë t’i nënshtrohemi”.

al”>Telesport.