Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka bërë të ditur se në takim me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku nuk është arritur ndonjë marrëveshje politike.
Ai tha se gjatë takimit janë diskutuar mundësitë që janë përpara dhe nevoja për një marrëveshje që, sipas tij, duhet të respektojë rezultatin e zgjedhjeve dhe ta shndërrojë atë në stabilitet institucional.
“Marrëveshje politike nuk kemi, diskutuam për çasje të ndryshme, për mundësi që i kemi përpara, kemi nevojë për një marrëveshje politike, e cila e respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvëndëson atë, por e shëndrron rezultatin zgjedhor edhe në kontribut për stabilitet institucional dhe për funksionim të Republikës së Kosovës, në mënyrë demokratike”.
Ai tha se nuk i dëshirojnë zgjedhjet e reja, por paralajmëroi se ato mund të bëhen të pashmangshme nëse nuk arrihet një marrëveshje.
“Askush nuk i do zgjedhjet e reja, mirëpo nëse nuk do të kemi marrëveshje, nëse nuk do të kemi hapa përpara, përkundër mosdëshirës që të shkojmë në zgjedhje të reja, fatkeqësisht ato mund të shkaktohen. Do të përpiqemi maksimalisht, do të vazhdojmë komunikimin dhe takimet”, deklaroi ai.








