Kurti: Me LDK-në diskutuam për bashkëpunimin, jo për emra presidenti

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se në takimin me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku është diskutuar për raportet mes dy subjekteve.

Kurti tha se presidenti duhet të jetë mbi ndarjet partiake dhe të mos përfshihet në debatet e përditshme politike.

“Presidenti i Kosovës, si shprehje e unitetit të popullit, duhet të jetë një figurë që ngroh zemrat e qytetarëve të Republikës, me merita dhe vlera. Duhet të jetë një personalitet i mirëpritur nga popullsia dhe të mos paraqesë polin e katërt të pushtetit”.

Ai shtoi se presidenti duhet të jetë jashtë partive politike dhe të ketë rol përfaqësues.

“Do të duhej të ishte jashtë partive politike dhe të mos ishte i përfshirë në polemika ditore. Sa i përket pozitës së presidentit, ai nuk duhet të jetë pjesë e pushtetit politik, por e përfaqësimit të Republikës”, tha ai, njofton Klankosova.tv.

Kurti theksoi se Vetëvendosje është e interesuar për bashkëpunim me LDK-në, duke vlerësuar se vendi ka nevojë për përparim më të shpejtë.

“Jemi të interesuar të bashkëpunojmë me LDK-në, sepse vendi ynë ka nevojë për progres të përshpejtuar.”

Duke folur për emrin e presidentit të ardhshëm, Kurti tha se nuk mund të përmendë kandidatë konkretë, pasi sipas tij emri duhet të jetë rezultat i një konsensusi.

“Nuk mund të sjell emër konkret, sepse emri do të duhej të ishte konsensual dhe jo domosdoshmërisht i Vetëvendosjes. Ne kemi sjellë emra konkretë, ata kanë qenë Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku. Kur u tërhoqën, sollëm edhe një emër tjetër, Feride Rushitin, por nuk u pranua, sepse e sollëm ne”.

Kurti tha se synimi është të gjendet një kandidat që ka mbështetjen e nevojshme për t’u zgjedhur.

“Jemi të interesuar ta kemi dikë gjithëpërfshirës, sepse nuk duam të sjellim emra që nuk zgjidhen dhe që nuk e kanë mbështetjen e domosdoshme. Nuk kemi folur për emra të presidentit. Kemi folur për rrugën përpara në bashkëpunimin e Vetëvendosjes me LDK-në. Duke qenë se kemi pasur situata të shpeshta, nuk është e lehtë që për këto pak ditë, madje pak orë para fillimit të seancës konstituive, t’i tejkalojmë të gjitha. Po punojmë maksimalisht”./Klankosova.tv