Neymar shmang pyetjet për “pensionimin”, babai i tij e përjashton: “Do të vazhdojë të luajë”

Neymar ka shmangur komentet për një tërheqje të mundshme nga futbolli pas përfundimit të kontratës me Santosin, ndërsa babai dhe agjenti i tij ka deklaruar se ai “do të vazhdojë të luajë futboll”.

Ylli brazilian, 34 vjeç, i ka dhënë fund karrierës me kombëtaren e Brazilit pas eliminimit në fazën e 1/8-ave të Botërorit të fundit ndaj Norvegjisë. Neymar është nën kontratë me klubin ku u rrit deri në dhjetor.

“Kur të përfundojë kontrata ime, do të mendoj nëse do të qëndroj te Santos, do të largohem apo ndaloj së luajturi. Nuk e di vërtet çfarë do të bëj”, – tha Neymar gjatë një ankandi bamirësie në San Paolo.

“Po ecim hap pas hapi, ndeshje pas ndeshjeje. Ndihem mirë fizikisht”, – shtoi ish-lojtari i Barcelonës dhe PSG, i cili vitet e fundit është penguar nga shumë dëmtime.

Babai i tij, Neymar da Silva Santos, u pyet gjithashtu për të ardhmen: “Neymar e do futbollin. Çfarë tjetër mund të bëjë? Nuk ka ende një diplomë mjekësie, kështu që do të vazhdojë”.

 

The post Neymar shmang pyetjet për “pensionimin”, babai i tij e përjashton: “Do të vazhdojë të luajë” appeared first on Telesport.