Pas tri ndeshjeve miqësore, Juventusi i Luciano Spallettit ka regjistruar dy fitore, një barazim dhe ende nuk ka pësuar asnjë gol. Trajneri bardhezi u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës pas suksesit ndaj Nicës:
“Më pëlqeu gjithçka, sepse sezonin e kaluar skuadra ime sulmonte edhe kur nuk kishte mbështetjen e mbrojtjes dhe mesfushës, apo ushtronte presion pa u përfshirë i gjithë grupi. Këtë herë e bënë shumë mirë. Shkurtuan rreth 20 metra hapësirë, rikuperuan shumë topa dhe krijuan zhvillime interesante. Megjithatë, humbëm disa topa mjaft të thjeshtë”.
Trajneri veçoi edhe paraqitjen e Douglas Luiz: “Sot mbuloi shumë terren, përveçse luajti mirë me topin. Vrapoi më shumë dhe me ritëm më të lartë, pikërisht aty ku kishte mangësi. Mund ta lija më gjatë në fushë, por stërvitjet kanë qenë të ngarkuara dhe kisha 2-3 lojtarë me rrezik për lodhje”.
Luciano Spalletti foli edhe për merkaton, duke shprehur besim te drejtuesit e Juventusit: “Pres diçka, sepse zyrën e kam mes Ottolinit dhe Massarës, ndaj e di gjithçka që diskutohet dhe shoh angazhimin e tyre në merkato. Janë drejtues me përvojë, por kjo është një merkato shumë e ndërlikuar. Kemi gabuar me disa blerje në vitet e kaluara dhe tani duhet të plotësojmë disa pozicione. Nuk mund të blejmë si klubet e tjera, ndaj duhet të optimizojmë. Edhe në këtë aspekt, drejtuesit tanë kanë qenë të shkëlqyer”.
Spalletti kujtoi edhe nënën e tij, e cila u nda së fundmi nga jeta: “Nënat janë simboli i jetës, edhe kur nuk janë më. Më preku prania e drejtuesve të Juventusit në kishë dhe do t’iu jem gjithmonë mirënjohës për këtë gjest”.
The post Spalletti i kënaqur me Juventusin: Më pëlqeu gjithçka, Douglas Luiz bëri një ndeshje të shkëlqyer appeared first on Telesport.








