Mbi 80% e shqiptarëve të vrarë në luftë kanë qenë civilë

Mbi 80% e personave me etni shqiptare të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë janë civilë. Kështu bëri të ditur drejtori i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës, Atdhe Hetemi në një intervistë në RTK Prime, pas lansimit të Raportit të Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

“Mbi 80% e viktimave e komunitetit shqiptarë janë civilë të vrarë në luftë. Ndërkaq mbi 52.4% e personave që janë të vrarë, të zhdukur ose të vdekur si pasojë e luftës, janë persona të armatosur apo evidentohen si pjesëtarë të forcave të armatosura”, specifikoi Hetemi.

“Kemi arritur të mbledhim materiale që dokumentojnë krimet e luftës nga më shumë se 15 vende të ndryshme të botës, janë qindra metra lineare material arkivor që dokumenton krimet, mbi 21 terabajtë material që dokumentojnë krimet. Krejt këto janë bërë për të validuar çdo viktimë”, tha ai.

Ai tha se shtylla e dytë arkivore ka qenë mbështetja te institucionet e organizatat ndërkombëtare. Në mbledhjen e materialeve janë përfshirë tri kategori: personat e vrarë, të zhdukur me dhunë dhe personat e vdekur si pasojë e luftës.

Hetemi e quajti listë preliminare, sepse siç tha ai, janë të hapur për të pranuar raste shtesë për të pasuruar arkivin historik të vendit.

“Dallimi ynë është metodologjik. Janë caktuar kriteret bazë që kanë përcaktuar se cilët persona do të përfshihen në listë. Janë katër kritere: personat që kanë lindur apo kanë pasur vendbanim në Kosovë në kohë lufte; personat me plagë vdekjeprurëse ose janë zhdukur në rrethana të ndërlidhura drejtpërdrejtë me luftën; kanë humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga lufta dhe kriteri i katër, bazuar në dokumentacionin, personat që kanë lidhje me luftën e fundit në Kosovë”, shpjegoi ai.

Bazuar në aspektin gjinor, Hetemi tha se janë 11 mijë e 415 ose 86.3% e të vrarëve janë meshkuj, por janë dhe 1.811 gra të vrara.

“Analiza e tyre dëshmon se pasojat e luftës s’janë kufizuar veç te meshkujt”, tha ai.

Raporti zbulon se gjatë luftës janë atakuar më së shumti personat në moshën e punës. Hetemi specifikoi se 57.5% të viktimave janë 18 deri 50 vjeç.

“14.7% të viktimave janë të moshës mbi 65 vjeçare dhe mbi 1 mijë e 240 janë nga 0 – 17 vjeç”, tha Hetemi.

Gjatë prezantimit të sotshëm të raportit, është bërë e ditur se ai dokumenton gjithsej 12.230 viktima të luftës për periudhën nga janari 1998 deri më 20 qershor 1999. Gjithashtu u dokumentua vrasja e 1.247 fëmijëve të moshës 0 deri në 17 vjeç, ndërsa 94 të tjerë humbën jetën si pasojë e kushteve të luftës. Ndërkaq ende nuk dihet fati dhe vendndodhja e 100 fëmijëve të zhdukur me dhunë.