Përfaqësuesi ligjor i familjeve të të vrarëve në kafenenë “Panda” në Kosovë, Ivan Niniq, ka kërkuar reagim urgjent nga Prokurori i Përgjithshëm i Shtetit në Serbi dhe mbikëqyrje të jashtëzakonshme të punës së Prokurorisë për Krim të Organizuar në këtë rast.
Në kërkesën, të cilën Radio Evropa e Lirë (REL) e ka parë, Niniq thekson se kjo Prokurori në Beograd, për më shumë se tri vjet, nuk u është përgjigjur propozimeve për marrjen në pyetje të disa dëshmitarëve për rastin që deri më sot nuk është zbardhur.
Në mesin e tyre është edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili më herët ka deklaruar se ka informacione për vrasjen e gjashtë të rinjve të nacionalitetit serb në vitin 1998, në një kafene në Pejë të Kosovës.
Nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Prokuroria e Lartë Publike nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me kërkesën e avokatit. Për këtë kërkesë nuk u përgjigj as kabineti i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Nxënësit e shkollës së mesme Ivan Obradoviq, Zoran Stanojeviq, Svetisllav Ristiq, Dragan Trifoviq dhe Vukosav Gvozdenoviq, si dhe studentja Ivana Radoviq, u vranë më 14 dhjetor, kur dy persona të maskuar hynë në kafenenë “Panda” në Pejë dhe filluan të shtinin.








