Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka dhënë një lajm të madh për tifozët e kombëtares së Kosovës.
I pari i FFK-së ka bërë me dije se është në bisedime me tre futbollistë që luajnë te Bayern Munichu në Bundesliga.
Bëhet fjalë për Arijon Ibrahimovicin, Yll Gashin dhe Erblin Osmanin.
“Jo vetëm me Arijon Ibrahimovicin, por edhe me Erblin Osmanin dhe Yll Gashin jemi në kontakte. I uroj të tre për kontratat që kanë nënshkruar dhe e falënderoj Bayernin që i ka vlerësuar. Po më duket sikur kemi dy treshe – një te Bayerni dhe një te Hoffenheimi”, ka thënë Ademi për “SportCast”.
Agim Ademi u takua para disa ditësh me Ibrahimovicin në qytetin e Prizrenit, teksa me Erblin Osmanin ishte takuar javë më parë.
Ibrahimovici u rikthye këtë verë nga huazimi njëvjeçar te Heidenheimi në Bundesliga, teksa trajneri i Bayernit, Vincent Kompany ka bërë me dije se ai do të integrohet në ekipin e parë sivjet.
Ai ka kontratë me Bayernin deri në qershor të vitit 2028.
Në anën tjetër, Erblin Osmani, 17-vjeçar është pjesë e akademisë së klubit gjerman, mirëpo debutoi me ekipin e parë në mars të këtij viti, në Bundesliga, në fitoren e Bayernit ndaj Union Berlinit. Ai luajti për pak minuta, teksa u bë lojtari i dytë më i ri që debuton me fanellën bavareze.
Yll Gashi, 18-vjeçar më 2 korrik e vazhdoi kontratën me Bayernin deri në vitin 2028.
Kombëtarja e Kosovës rikthehet në aksion në muajin shtator, kur më 24 shtator do të jetë nikoqire e Republikës së Irlandës në “Fadil Vokrri”, teksa në një periudhë prej dy javësh do të zhvillojë katër ndeshje gjithsej.
Pas Irlandës, Kosova udhëton për tek Austria më 27 shtator, e më pas do të ndeshet me Izraelin më 1 tetor, e më 4 tetor do të presë Austrinë në Prishtinë.








