Adem Demaçi kujtohet për qëndresën dhe sakrificën për lirinë e Kosovës

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, bënë homazhe në përvjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit Adem Demaçi, duke e vlerësuar atë si një prej figurave më të rëndësishme të rezistencës dhe përpjekjes së Kosovës për liri.

Përmes një postimi, Haxhiu tha se jeta e Demaçit përfshiu disa nga etapat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, duke kujtuar se ai ishte pjesë e rezistencës politike në kohën kur kërkesa për liri dënohej me burg.

“Jeta e tij lidhi disa etapa të historisë sonë. Ai ishte pjesë e rezistencës politike në kohën kur kërkesa për liri dënohej me burg, ishte zë i të drejtave të shqiptarëve kur ato mohoheshin dhe mbeti i pranishëm në jetën publike edhe kur Kosova hyri në një kapitull të ri të historisë së saj”.

Ajo theksoi se Demaçi ishte zë i të drejtave të shqiptarëve kur ato mohoheshin dhe se mbeti aktiv në jetën publike edhe pas çlirimit të Kosovës.

“Shkrimtari që kundërshtoi gjakmarrjen ishte po ai veprimtar që kundërshtoi robërinë dhe, pas çlirimit të Kosovës, kërkonte me ngulm që liria të mos përdorej për hakmarrje. Baca Adem i përkiste brezit që e përjetoi rëndë mohimin e të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi. Ai zgjodhi të mos heshtte dhe për këtë zgjedhje pagoi me 28 vjet burg. Kaloi 28 vjet në burg, por as burgimi dhe as përndjekja nuk e bënë të hiqte dorë nga bindjet e tij dhe nga kërkesa për lirinë e Kosovës. Emri i Adem Demaçit kishte kaluar kufijtë e Kosovës shumë kohë para se Kosova ta fitonte lirinë. Amnesty International e mori në mbrojtje si të burgosur të ndërgjegjes, në Senatin amerikan u kërkua lirimi i tij, ndërsa Parlamenti Evropian e nderoi me Çmimin Saharov për qëndrimin e tij përballë një regjimi autoritar”, ka shkruar mes tjerash Haxhiu.

Postimi i plotë: