Spitali i Pejës jep detaje mbi gjendjen e të lënduarve nga aksidenti në Istog

Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka dhënë detaje lidhur me aksidentin e rëndë të trafikut që ndodhi pasditen e sotme në Istog, ku si pasojë dy persona kanë humbur jetën ndërsa katër persona të tjerë kanë marrë lëndime.

Sipas njoftimit të spitalit, rreth orës 16:00 në Shërbimin e Emergjencës është pranuar një paciente pa shenja jete, e cila kishte pësuar politraumë. Pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor, është konstatuar vdekja e saj.

Rreth 30 minuta më vonë, në Emergjencë janë pranuar edhe katër të lënduar nga i njëjti aksident, transmeton Klankosova.tv.

Një fëmijë, me lëndime të rënda, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), i intubuar dhe nën përcjelljen e ekipit të Anestezionit. Sipas mjekëve, ai ka pësuar politraumë, hemorragji intrakraniale dhe frakturë të femurit.

Ndërkohë, një paciente është hospitalizuar në Repartin e Ortopedisë me frakturë të femurit, ndërsa dy persona të tjerë, pasi kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë konstatuar me lëndime të lehta trupore, janë liruar për trajtim ambulantor.

Nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë kanë shprehur ngushëllimet për familjen e viktimës, ndërsa të lënduarve u kanë uruar shërim sa më të shpejtë.