“Ja, ja! Shancë s’ka” – pronari ngujohet në shtëpi në Rrugën A, kundërshton rrënimin [VIDEO]

Pronari i një shtëpie në afërsi të Rrugës A në Prishtinë, e cila është në rrezik të shembjes për shkak të lëvizjeve të dheut, ka refuzuar të largohet nga prona të martën kur inspektorë komunalë dolën për të ekzekutuar vendimin për rrënim të shtëpisë.

Lëvizjet e dheut në maj të këtij viti shkaktuan dëmtime të konsiderueshme në pronë, duke e bërë objektin të pasigurt për banim, sipas autoriteteve komunale.

Komuna pretendon se shtëpia është e ndërtuar në pronë komunale, ndërsa pronarët e kontestojnë këtë.

Megjithë nuk jeton në shtëpi që nga muaji maj, pronair Faruk Maxhuni hyri brenda të martën si akt kundërshtimi ndaj vendimit për rrënim. Ai ka qëndruar brenda objektit, duke refuzuar të largohet pavarësisht pranisë së inspektorëve, të cilët kishin dalë në terren për të realizuar rrënimin.

“Ja! Ja! Shancë s’ka”, dëgjohej duke iu thënë ai inspektorëve dhe zyrtarëve policorë nga terrasa e katit të dytë të shtëpisë të martën, sipas pamjeve të publikuara nga portali Lajmi.net, transmeton Paparaci.

Familja e ka dërguar rastin në gjykatë duke kërkuar kompensim financiar për dëmet e shkaktuara, por autoritetet insistojnë se prona ku është ndërtuar ajo, i përket komunës.

Pas rezistencës së pronarit, zyrtarët e Inspektoratit, së bashku me Policinë e Kosovës, janë tërhequr nga vendi i ngjarjes, ndërsa procesi i rrënimit nuk është realizuar.