Një grua 26-vjeçare nga Kosova është dërguar në spital pas një emergjence shëndetësore në banesën e saj në Linz të Austrisë.
Sipas raportimeve nga mediat gjermane, policia është njoftuar të hënën rreth orës 06:10 të mëngjesit, pasi bashkëshorti i saj 29-vjeçar e kishte gjetur atë duke u gulçuar në shtrat.
Burri menjëherë ka njoftuar vëllain e tij, i cili ka shkuar në apartament dhe ka thirrur shërbimet emergjente. Policia dhe ekipet e ambulancës kanë arritur pothuajse në të njëjtën kohë në vendngjarje.
Zyrtarët policorë kanë nisur menjëherë reanimimin kardiopulmonar (CPR), pasi gruaja nuk reagonte. Me përdorimin e defibrilatorit, pas disa përpjekjeve është arritur të rikthehet pulsi, transmeton Klankosova.tv.
Mjeku emergjent ka mbërritur disa minuta më vonë dhe ka marrë përsipër trajtimin e mëtejshëm. Sipas raportimeve, pulsi nuk ishte detektuar deri pas goditjes së katërt me defibrilator, kur më pas ekipet mjekësore arritën ta rikthenin.
Gruaja është transportuar më pas në Spitalin Universitar Kepler në Linz, e shoqëruar nga një mjek i urgjencës.
Në momentin e ngjarjes, në banesë kanë qenë edhe dy fëmijët e çiftit, të moshës dy vjeç dhe katër muajsh./Klankosova.tv








