Elza Bajrami është vendosur nën hetim nga Prokuroria Speciale.
Prokuroria Speciale ka autorizuar Policinë e Kosovës që të nisë hetime lidhur me rastin e Elza Bajrami-Kastratit, ish-zëvendëskryeprokurores së Prishtinës, lidhur me pagesat që ajo mori nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Ish-prokurorja, aktualisht anëtare e Këshillit Prokurorial të Kosovës, po hetohet lidhur me pagesat që kishte marrë nga Federata e Futbollit të Kosovës, një institucion që drejtohet nga Agim Ademi, të cilin ajo e kishte ndjekur penalisht, ka mësuar Paparaci nga burime të sigurta.
Burimet i kanë bërë të ditur Paparacit se Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës të mbledh informacione, përfshirë mbledhjen e dokumentacionit që lidhet me rastin e Elza Bajrami-Kastratit.
Zhvillimi vjen disa javë pasi një hulumtim i Paparacit nxori në pah pagesat Bajramit nga Federata e Futbollit.
Sipas hulumtimit, Bajrami kishte pranuar pagesa nga FFK-ja, ndonëse ajo, në cilësinë e prokurores, kishte ndjekur penalisht vetë Agim Ademin në një rast ku ai gjykohej për veprën penale “detyrim në tentativë”.
Në nëntor të vitit 2024, rreth një vit e gjysmë pasi Agim Ademi ishte liruar nga akuza për detyrim, prokurorja Elza Bajrami-Kastrati kishte nisur angazhimin e saj me pagesë si “anëtare komisionesh” në FFK, dëshmon raportimi i Paparacit. Për rreth dy vite, për këtë angazhim ka përfituar rreth 4,500 euro.
Angazhimi i saj me punë në federatën të cilën e drejton Agim Ademi, dyshohet se është kryer pa përfillur procedurat dhe në kundërshtim me ligjet që rregullojnë punën e prokurorëve.
Bajrami-Kastrati vazhdon ende të jetë e punësuar në Federatën e Futbollit të Kosovës.
Paparaci dërgoi të premten pyetje në adresë të Prokurorisë Speciale lidhur me nisjen e hetimeve për rastin e Bajramit, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk mori përgjigje. /Paparaci.com
Raporti i dyshimtë – prokurorja që ndoqi penalisht Agim Ademin u pagua nga FFK-ja








