Vëllai i Gjyljeta Ukellës: Nga ky moment, heqim dorë nga drejtësia

Vëllai i Gjyljeta Ukellës, Shpati, është deklaruar pas shpalljes së vendimit nga Gjykata Supreme për Edmond Lajçin.

“Nuk deklarohemi më për media. Prej këtij momenti, heqim dore nga drejtësia”, ka thënë ai për KlanKosova, transmeton Paparaci.

Gjykata Supreme ka njoftuar të enjten se ka ndryshuar vendimet e Themelores dhe atë të Apelit, të cilët kishin shpallur dënim me burgim të përjetshëm për Edmond Lajçin.

Sipas njoftimit të Supremes, Lajçi është dënuar me 30 vjet burgim për vrasjen e gruas së tij, Gjyljeta Ukella.

Lajçi ishte i akuzuar se më 16 prill të vitit 2024, rreth orës 8:00 të mëngjesit, në banesën e tij në Pejë, e ka privuar nga jeta me armë zjarri bashkëshorten e tij, viktimën Gjyljeta Ukella, për shkak të problemeve të vazhdueshme që i pandehuri kishte pasur me viktimën, duke i ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike me herët.

Kurse, ditën kritike, Lajçi kishte shtënë një herë me armë zjarri në drejtim të viktimës, duke e qëlluar në pjesën ballore të kokës dhe si pasojë e kësaj të shtëne është shkaktuar vdekja e menjëhershme e viktimës.

Atë ditë, ai ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe ishte paraqitur në Stacionin Policor të Pejës, ku vetë kishte njoftuar se “e vrava gruan”.