Irani paralajmëron SHBA-në: “Nuk do të hezitojmë në vetëmbrojtje”

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, deklaroi se marrëveshja mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara “ka hyrë në një krizë”, ndërsa paralajmëroi se Teherani nuk do të hezitojë të veprojë në vetëmbrojtje.

Sipas mediave shtetërore iraniane, Baghaei tha se sulmet e Iranit kanë në shënjestër vetëm bazat dhe objektet e përdorura nga SHBA për të sulmuar territorin iranian.

“Ne nuk do të hezitojmë të vetëmbrohemi“, u shpreh ai, duke shtuar se Irani nuk mund të lejojë që SHBA të përdorë tranzitin në Ngushticën e Hormuzit për të cenuar sovranitetin dhe sigurinë e vendit.

Baghaei deklaroi se negociatat e zhvilluara të shtunën u përqendruan vetëm te situata në Ngushticën e Hormuzit, me synimin për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve. Sipas tij, përpjekjet janë penguar nga presioni i ushtruar nga SHBA ndaj Omanit.

Ai shtoi gjithashtu se Irani nuk do të zbatojë angazhimet e parashikuara në memorandumin e mirëkuptimit me 14 pika, të nënshkruar më 17 qershor, nëse edhe SHBA nuk respekton detyrimet e saj.

Ndërkohë, sipas të dhënave të gjurmimit të anijeve, asnjë mjet lundrues nuk ka kaluar në Ngushticën e Hormuzit që nga mbrëmja e djeshme.