“Courtois, ndoshta është portieri më i mirë në botë. Yamal? Gjigant edhe kur nuk shënon”

Sulmuesi i Spanjës, Dani Olmo, foli para sfidës ndaj Belgjikës, duke vlerësuar kundërshtarin, rekordin e “La Roja” dhe paraqitjet e Lamine Yamal.

Për serinë prej 35 ndeshjesh pa humbje, Olmo tha: “E përballojmë çdo ndeshje sikur të jetë një finale. Ky është mesazhi i trajnerit, ndeshja më e rëndësishme është ajo që kemi përpara. Jemi të lumtur me këtë seri dhe duam ta zgjasim të paktën deri në finale”.

Për Belgjikën shtoi: “Është një kombëtare shumë e kompletuar dhe ka një nga portierët më të mirë në botë, nëse jo më të mirin aktualisht”.

Duke folur për Yamal, theksoi: “Edhe kur nuk shënon apo nuk asiston, ai jep kontribut të jashtëzakonshëm me driblimet dhe vetëm me praninë e tij në fushë. Kur merr topin, kundërshtari dërgon dy ose tre lojtarë për ta markuar, duke krijuar hapësira për të tjerët. Lamine ka qenë gjithmonë vendimtar dhe jemi të sigurt se do të vazhdojë të na ndihmojë”.

 

The post “Courtois, ndoshta është portieri më i mirë në botë. Yamal? Gjigant edhe kur nuk shënon” appeared first on Telesport.