Dy persona janë arrestuar mbrëmjen e së martës në Prishtinë pasi kishin sulmuar disa zyrtarë policorë gjatë një intervenimi.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, të dyshuarit (vëllezër) fillimisht e kishin sulmuar njëri tjetrin më grushte, ndërsa pas intervenimit të policisë, i kishin sulmuar edhe ata.
Në raport thuhet se zyrtarët policorë kanë pranuar tretman mjekësor, ndërkaq të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
“Janë arrestuar dy të dyshuar (vëllezër), pasi të njëjtit janë hasur duke e sulmuar-grushtuar njëri-tjetrin. Të dyshuarit, në vendin e ngjarjes nuk u janë bindur urdhrave të zyrtarëve policorë dhe i kanë sulmuar e goditur fizikisht edhe zyrtarët policorë. Tretman mjekësor kanë pranuar zyrtarët policorë dhe të dyshuarit. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit të cilët ishin në gjendje të dehur, janë dërguar në mbajtje, ndërsa pritet intervistimi i tyre pas këndelljes së tyre. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raport.








