Gjykata Themelore në Gjakovë ka njoftuar se e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurit E.H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale, vrasje në tentativë dhe lëndim i lehtë trupor.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se “më 05 korrik 2026, rreth orës 22:30, në Rahovec, pas një mosmarrëveshjeje të çastit pranë lokaleve “C.B.” dhe “N’Q.B.”, i pandehuri dyshohet se me një mjet të mprehtë (thikë) ka sulmuar të dëmtuarin F.M., duke i shkaktuar plagë në pjesët vitale të trupit. Si pasojë, i dëmtuari fillimisht është trajtuar në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ndërsa më pas është transferuar në QKUK për trajtim të mëtejmë mjekësor. Në të njëjtin incident, i pandehuri dyshohet se ka lënduar edhe të dëmtuarin E.H., duke e goditur me thikë në këmbën e djathtë, me ç’rast ai ka pranuar trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë.
Gjyqtari i procedurës paraprake nga Departamenti i Krimeve të Rënda, Drilon Haraçia, pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.
Me këtë vendim, i pandehurit E.H., do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data e arrestimit me 6 korrik 2026 deri më 5 gusht 2026.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.







