Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit ka njoftuar se më 6 korrik 2026, në ora 13:00, do të organizojë protestë para Ministrisë së Bujqësisë, për shkak të situatës së krijuar me mosgrumbullimin e qumështit të freskët nga fermat vendore.
Sipas njoftimit, vendimi për protestë është marrë unanimisht në një takim të mbajtur më 5 korrik me anëtarët e shoqatës. Fermerët thonë se protesta është e pashmangshme pasi, sipas tyre, kërkesat dhe shqetësimet e tyre nuk janë dëgjuar nga institucionet përgjegjëse.
Ata kanë paraqitur tri kërkesa kryesore: rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit, publikimin urgjent të rezultateve për të larguar dyshimet ndaj produkteve vendore dhe kthimin e çmimit të mëparshëm të qumështit për të shmangur falimentimin e fermave.
Organizatorët kanë bërë të ditur se në protestë do të marrin pjesë fermerë me mjete bujqësore dhe cisterna qumështi. Ata gjithashtu kanë ftuar qytetarët që të marrin bidona për furnizim me qumësht pa pagesë.








