Një zyrtar i Ministrisë së Bujqësisë në një deklaratë për media ka dalë me një tjetër version se pse ndodhej në objektin e qumështores “Vita” ani pse ishte pjesë e grumbullit të madh të inspektorëve që kryen inspektime sot.
Ai ka thënë se është kryetar i departamentit për politika bujqësore dhe anëtar i grupit punues për hartimin e një udhëzimi administrativ që ka të bëjë me çështjet e qumështit.
Sipas tij, ai ndodhej aty për të marrë vlerësime nga “Vita” për hartimin e udhëzimit administrativ dhe rastisi që në të njëjtën kohë të bëheshin edhe inspektimet nga dy institucione të tjera.
“Pjesë e këtij delegacionit janë tri institucione, unë jam kryetari i departamentit për politika bujqësore, por edhe anëtar i grupit punues për hartimin një udhëzimi administrativ që ka të bëjë me çështjet që ndërlidhen me qumështin”, ka thënë ai.
Tri institucione kanë qenë sot, ministria e bujqësisë dhe janë dy institucione të tjera, agjensioni i ushqimit dhe veterinës dhe inspektorati nga ministria e tregtisë që kanë mandat për të bërë inspektim në kuadër të kompanisë aktuale”, ka thënë ai.
Ai ka mohuar se ka qenë pjesë e inspektimeve, ani pse shkoi bashkë me të tjerët aty.
“Ne nuk kemi të bëjmë kurrgjë me inspektimin, ne kemi të bëjmë me përgatitjen për marrjen e informatave për udhëzimin administrativ, dy inspektoratet tjera janë duke bërë inspektimin”, ka thënë ai.







