Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka drejtuar akuza të ashpra ndaj Qeverisë së Albin Kurtit, duke e fajësuar për izolimin e Kosovës, humbjen e fondeve të Bashkimit Evropian dhe, sipas tij, mbylljen e bizneseve vendore.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e ka përmbledhur bilancin e qeverisjes me fjalët: “Izolim. Sanksione. Humbje fondesh. Mbyllje fabrikash.”, duke thënë se kjo është pasoja e një politike që, sipas tij, u paraqit si patriotike, por që po e paguajnë qytetarët e Kosovës.
Ai ka deklaruar se Bashkimi Evropian po i ridrejton fondet drejt Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa Kosova, sipas tij, ka mbetur jashtë për shkak të masave ndëshkuese të vendosura nga BE-ja.
Rama ka përmendur edhe mbylljen e fabrikës së qumështit “Vita”, duke thënë se pasojat po i ndiejnë punëtorët, fermerët dhe pronarët, ndërsa ka ngritur pyetjen se cili biznes do të jetë i radhës.
“Sot po shohim biznese që mbyllen. Po mbesim pa fonde të Bashkimit Evropian, ndërsa amerikanëve, për projektin e gazit, iu përgjigjëm me arrogancë: ‘Ne kemi ide më të mirë’”, ka shkruar ai.
Sipas kryetarit të Prishtinës, Kosova po ua kthen shpinën aleatëve që kontribuuan në lirinë dhe shtetësinë e saj, ndërsa ka krahasuar zhvillimet e fundit me vitet e ’90-ta, duke thënë se pamjet e largimit të punëtorëve nga vendet e punës kujtojnë periudhën kur regjimi serb largonte shqiptarët nga institucionet dhe ndërmarrjet.
Ai ka vlerësuar se vendi po humb investime, vende pune dhe dinjitet ekonomik, ndërsa ka akuzuar Qeverinë se po i mban qytetarët të varur nga, siç është shprehur ai, “lëmoshat dhe premtimet elektorale prej 100 eurosh”, në vend që të krijojë kushte për punësim dhe zhvillim ekonomik.
Në fund të reagimit, Rama e ka cilësuar situatën si pasojë të një “qeverie autokrate, të paaftë dhe papunëtore”, duke e përmbyllur postimin me fjalën: “Mjerim!”







