Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas mbylljes së përkohshme qumështores “Vita”, duke e cilësuar këtë zhvillim si një goditje të rëndë për prodhimin vendor, fermerët dhe ekonominë e Kosovës.
Sipas Limajt, qumështorja nuk ka qenë vetëm një kompani, por, sipas tij, një nga shembujt më të suksesshëm të prodhimit vendor, që për më shumë se dy dekada ka mbështetur mijëra fermerë, ka punësuar qindra qytetarë dhe ka dëshmuar se në Kosovë mund të prodhohet me cilësi dhe sukses.
“Kur mbyllet një prodhues i këtij niveli, nuk humbet vetëm një biznes. Goditen fermerët, humbin vendet e punës, dobësohet ekonomia dhe i hapet rruga produkteve të importit”, ka shkruar Limaj në Facebook.
Ai ka kritikuar qeverinë për qasjen ndaj sektorit privat, duke vlerësuar se bizneset janë trajtuar si kundërshtarë dhe jo si partnerë të zhvillimit ekonomik.
“Në vend që ta ndihmojë prodhuesin vendor, qeveria e ka vënë atë nën presion të vazhdueshëm. Bizneset nuk kanë nevojë për frikë, as për presione e ndëshkime të panevojshme. Inspektoratet duhet të zbatojnë ligjin, jo të përdoren për të dëmtuar ata që investojnë, prodhojnë dhe mbajnë në punë mijëra familje”, ka deklaruar ai.
Limaj ka theksuar se një qeveri që synon zhvillimin ekonomik duhet të krijojë kushte për rritjen e prodhimit vendor dhe jo për mbylljen e fabrikave.
“Një qeveri që e ka seriozisht zhvillimin ekonomik nuk i mbyll fabrikat. Ajo krijon kushte që ato të rriten, të punësojnë më shumë njerëz dhe të jenë më konkurruese”, ka thënë ai.
Në reagimin e tij, Limaj ka përsëritur se do të vazhdojë të mbështesë prodhuesit vendorë, fermerët dhe bizneset që investojnë në Kosovë.
“Kosova nuk forcohet duke mbyllur prodhuesit e saj. Forcohet duke mbrojtur prodhimin vendor, fermerin, punëtorin dhe çdo biznes që beson dhe investon në Kosovë”, ka përfunduar Limaj.








