Meliza Haradinaj ka thënë se Kosova po bën gabim kardinal duke refuzuar gazin amerikan, e për të cilin do të paguajë me dekada.
Sipas saj, debati për gazin është dilemë e turpshme mbi orientimin strategjik të vendit, e që nuk është debat midis gazit dhe thëngjillit.
“Kosova po bën një gabim kardinal që do ta paguajë për dekada. Debati për gazin është dilemë e turpshme mbi orientimin strategjik të Kosovës, e nuk është debat mes gazit dhe thëngjillit. Nuk është as debat ideologjik mbi tranzicionin energjetik. Dhe pikërisht këtu po bëhet gabimi e po dëshmohet mosdija”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
“Në vitin 2026, të informosh vendime strategjike përmes qasjeve që burojnë nga mendësia e ish-strukturave jugosllave të politikës dhe sigurisë, në vend se përmes koordinimit me aleatin strategjik të Kosovës në Washington, është një keqlexim serioz i rendit të ri ndërkombëtar”.
“Edhe më shqetësues bëhet ky zhvillim kur, pavarësisht deklarimeve se ‘nuk jemi kundër gazit amerikan’, refuzohet pikërisht projekti konkret që Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur si pjesë të vizionit të tyre për sigurinë energjetike të rajonit”.
Sipas saj, në gjeopolitikë energjia është instrument e siguri kombëtare, si dhe politikë e jashtme në formën e vet më direkte.
“Në gjeopolitikë energjia nuk është më vetëm energji. Është instrument. Është siguri kombëtare. Është politikë e jashtme në formën e saj më të drejtpërdrejtë. Përmes energjisë ndërtohen aleanca, zvogëlohen varësitë dhe forcohen kufijtë strategjikë”.
“Pikërisht për këtë arsye, administratat amerikane, pa dallim nëse kanë qenë republikanë apo demokratë, kanë ndjekur për dekada një politikë të qëndrueshme të diversifikimit energjetik të Evropës dhe të reduktimit të varësisë nga furnizues që energjinë e përdorin si instrument presioni gjeopolitik”.
Tutje në shkrimin e saj, ajo tha se moszgjedhja e një projekti strategjik përbën refuzim të mundësisë për ta bërë Kosovën pjesë më të fuqishme të strategjisë së Perëndimit.
“Në këtë kontekst, moszgjedhja e një projekti strategjik amerikan është refuzim i një mundësie për ta bërë Kosovën pjesë më të fortë të arkitekturës strategjike perëndimore. Është refuzim i forcimit të kufirit perëndimor përballë ndikimit rus”.
“Pikërisht këtu qëndron shkurtpamësia strategjike. Kosova nuk mund të sillet sikur është një fuqi nukleare e vetëmjaftueshme, si një ishull i shkëputur nga realiteti gjeopolitik. Është një shtet i vogël, me sfida të mëdha sigurie, ekzistenca dhe sovraniteti i të cilit janë ndërtuar dhe mirëmbahen përmes partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara”.
“Prandaj për mua është e vështirë të kuptohet pse një projekt i mbështetur nga aleati ynë më i rëndësishëm trajtohet si një dosje teknike dhe jo si një investim në sigurinë afatmesme dhe afatgjatë të shtetit”.








