Kori “Okarina” promovon kulturën dhe të rinjtë e Kosovës me performancë në Hamburg

Kori i Fëmijëve “Okarina” ka mbajtur një koncert në Hamburg, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit të Republikës së Kosovës, të organizuara nga Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në këtë qytet gjerman.

Koncerti u zhvillua në kishën historike St. Johannis Harvestehude, ku, para bashkatdhetarëve dhe publikut gjerman, “Okarina” interpretoi një repertor të pasur të muzikës klasike nga autorë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Nën dirigjimin e Elikona Hysaj Shalës dhe me shoqërimin në piano nga Pranvera Hoxha, kori solli një performancë artistike që u mirëprit nga të pranishmit, duke promovuar kulturën dhe talentin e të rinjve nga Kosova.

Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Hamburg theksoi se aktiviteti është pjesë e angazhimit të saj për të promovuar diplomacinë kulturore dhe për të forcuar dialogun ndërkulturor në Qytetin e Lirë dhe Hanseatik të Hamburgut, duke e konsideruar artin si një urë të rëndësishme lidhëse mes Kosovës dhe Gjermanisë.