Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka akuzuar ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për mashtrim të opinionit publik lidhur me çështjen e gazit rus dhe furnizimin me energji.
Përmes një deklarate publike, Hoti ka thënë se, ndonëse Kosova nuk e përdor drejtpërdrejt gazin rus për prodhimin e energjisë, ajo vazhdon të importojë energji elektrike nga vende që e prodhojnë atë duke përdorur gaz rus.
“Ja pse deklarata e Rizvanollit është mashtruese: Kosova nuk e përdor drejtpërdrejt gazin rus për energji. Por, Kosova importon energji nga vende që prodhojnë energji duke përdorur gazin rus”, ka deklaruar Hoti.
Ish-kryeministri ka qenë vazhdimisht kritik ndaj politikave energjetike të Qeverisë, duke argumentuar se refuzimi i projekteve për gaz natyror ka rritur varësinë e Kosovës nga importi i energjisë elektrike dhe ka cenuar sigurinë energjetike të vendit.








