Norvegjia “kalëron” mbi supet e Haaland; nga rosat prej gome të Erling te historia e vdekjes që zgjati 8 minuta

Ditën kur Alf-Inge Haaland erdhi në jetë, Norvegjia ishte vetëm në fillesat e bumit të saj ekonomik, shoqëror dhe sportiv. Ishte viti 1972. Tri vite më herët, rreth Krishtlindjeve, ishte zbuluar gjiganti naftënxjerrës Ekofisk, i destinuar të ndryshonte historinë e vendit që deri atëherë konsiderohej, jo pa të drejtë, shteti më rural i Skandinavisë dhe një nga më ruralët në Europë.

Haaland i ri është trashëgimtari më i shquar i brezit të “arit të zi”, naftës që e shndërroi Norvegjinë në një nga vendet më të pasura në botë. Monarkia dhe qeveria norvegjeze investuan, dhe vazhdojnë të investojnë, të gjitha të ardhurat nga nafta në Fondin Sovran, nga i cili çdo vit mund të tërhiqet vetëm 3% e kapitalit.

Çfarë lidhjeje ka kjo me futbollin dhe sportin? Shumë. Që nga fillimi i viteve ’70, Norvegjia, falë mundësive të reja dhe pothuajse të pakufizuara ekonomike, ka investuar në një sistem mirëqenieje të nivelit më të lartë, ku sporti zë një vend thelbësor.

Një shembull? Në Bergen, ku luan Brann, brenda vetë stadiumit të ekipit të parë me 16 mijë vende, fushë me bar natyral (gjë e rrallë në Norvegji), tërësisht i mbuluar dhe më modern se shumë stadiume të Serie A, ndodhet një shkollë.

Aty studiohet dhe bëhet sport në të njëjtën masë. Shteti paguan gjithçka, përfshirë edhe pajisjet sportive. Familjet nuk kanë asnjë shpenzim apo angazhim. Aktivitetet zhvillohen gjatë orarit mësimor ose institucionet kujdesen për gjithçka, nga transporti deri tek ushqimi.

Kështu, vajzat dhe djemtë, sepse në çdo sport nuk ka dallime gjinore dhe të gjithë kanë të njëjtat mundësi, mund të ëndërrojnë të bëhen Haaland ose Johannes Høsflot Klæbo, kampioni i skive të fondit me 11 medalje të arta olimpike. Që nga viti 1987, një ligj ndalon renditjet sportive për fëmijët deri në moshën 13-vjeçare.

Erling Haaland ka lindur në Oslo, por familja e yllit të kombëtares norvegjeze dhe të Manchester City i ka rrënjët në Stavanger. Prindërit e tij kanë lindur aty dhe shumë banorë pretendojnë se i njohin. Ata buzëqeshin lehtë kur kujtohet se, në të vërtetë, Erling dhe e dashura e tij hodhën hapat e parë te Bryne, vetëm 25 kilometra larg rivaleëve të Vikingut të Stavangerit.

Haaland është i pranishëm në çdo cep të Norvegjisë, por të drejtat mbi emrin e tij mbrohen me rigorozitet. Rosa prej gome si suvenir, me bishtalecin karakteristik dhe fanellën e kuqe, nuk mund të mbajë mbi shpinë mbiemrin Haaland, ndërsa fanellat jozyrtare mund të përdorin vetëm një siluetë të tij.

Në supermarkete situata është ndryshe. Krahas punonjësve të veshur me fanellën e kombëtares, futbollistët reklamojnë pothuajse çdo produkt; pije, qumësht, perime, peshk dhe djathëra, përfshirë Brunost, djathin tradicional me ngjyrë kafe dhe shije të ëmbël që ngjan me karamelin. Për muajin e Botërorit kombëtarja mori me vete 116 kilogramë Brunost, edhe pse thuhet se jo të gjithë lojtarët e pëlqejnë.

Megjithatë, dhoma e zhveshjes së Norvegjisë është si një bllok betoni, e bashkuar rreth trajnerit Ståle Solbakken, historia personale e të cilit është bërë sërish “virale” pas puthjes së gruas së tij në tribunë.

Shkurtimisht; ai pësoi infarkt gjatë një ndeshjeje, u shpall klinikisht i vdekur për 8 minuta, u rikthye në jetë dhe më pas i kërkoi të fejuarës së atëhershme ta linte dhe të gjente një burrë tjetër. Ajo nuk u largua as edhe një çast.

Edhe Solbakken është një nga “bijtë e naftës”. Kur ai lindi, Norvegjia ende nuk i kishte zbuluar rezervat gjigante të naftës, por më vonë përfitoi nga investimet që ato sollën, ashtu si edhe futbollistët e tij.

Falë këtyre investimeve mbi 12 mijë klube bazohen në vullnetarizëm dhe janë ndërtuar mijëra ambiente sportive të mbuluara, shtetërore, ku ushtrohet sport edhe gjatë dimrit të ashpër. Norvegjia sot mund të përballet me kokën lart në Botërorin 2026. Italia, me katër tituj botërorë, duhet të mësojë nga ky model sportiv.

The post Norvegjia “kalëron” mbi supet e Haaland; nga rosat prej gome të Erling te historia e vdekjes që zgjati 8 minuta appeared first on Telesport.