Botërori 2026 po vazhdon të ofrojë rezultate surprizë, lojë të nivelit të lartë dhe gola spektakolarë. Pas dy ndeshjeve të para të fazës së grupeve, tashmë hyhet në fazën vendimtare të xhiros së tretë, e cila do të përcaktojë dy vendet e para të çdo grupi dhe tetë skuadrat më të mira të vendeve të treta që do të kualifikohen në 1/16 finale.
Meksika ka pikë të plota dhe pa pësuar gol, duke u bërë kombëtarja e gjashtë në historinë e Botërorëve që e arrin këtë. Kualifikim historik për Afrikën e Jugut, për herë të parë në fazën me eliminim direkt, pas fitores 1-0 ndaj Koresë së Jugut. Zvicra mposhti Kanadanë dhe del e para, ndërsa edhe vendasit kalojnë më tej. Kualifikohen gjithashtu Bosnja dhe Brazili, me Seleçaon e parë pas fitores 3-0 ndaj Skocisë.
Në Grupin D, SHBA-të janë tashmë të parat, ndërsa Turqia e Montella është eliminuar. “Fotografia” e 1/16-ve po fillon të qartësohet, Afrika e Jugut–Kanada është tashmë e konfirmuar. Brazili do të përballet me vendin e dytë të Grupit F (Japonia, Suedia dhe Holanda ende në garë). Meksika është e para në Grupin A. Bosnja është mes skuadrave më të mira të vendeve të treta dhe do të ndeshet me njërën mes Gjermanisë dhe SHBA-ve.
Skuadrat e kualifikuara deri tani në 1/16 finale:
Argjentina, Franca, Gjermania, Meksika, SHBA, Norvegjia, Kolumbia, Kanadaja, Zvicra, Brazili, Maroku, Afrika e Jugut, Bosnje dhe Hercegovina. Disa skuadra të tjera, përfshirë Holandën, Portugalinë dhe Japoninë, janë shumë pranë kualifikimit dhe pritet të konfirmohen në ndeshjet e fundit (xhiron e tretë) të fazës së grupeve.
Skuadrat e eliminuara:
Haiti, Jordania, Tunizia, Turqia, Panamaja, Katari, Çekia.
Si funksionon kualifikimi i vendeve të treta
Në formatin e ri të turneut, në 1/16 finale kalojnë 2 ekipet e para të çdo grupi dhe 8 ekipet më të mira të vendeve të treta. Renditja e më të mirwve të vendeve të treta bëhet sipas pikëve, diferencës së golave, golave të shënuar, “fair-play” (sjellja sportive) dhe renditjes FIFA. Sipas zhvillimeve aktuale, 5 pikë konsiderohen të mjaftueshme për kualifikim në shumicën e grupeve.
Situata në grupe
Grupi A
Meksika është kualifikuar si fituese e grupit me rekord të pastër dhe do të vazhdojë në 1/16 finale. Afrika e Jugut ka siguruar vendin e dytë me 4 pikë dhe gjithashtu kalon më tej. Koreja e Jugut mbetet në vendin e tretë me 3 pikë dhe në pritje të rezultateve të tjera për të parë nëse kualifikohet si një nga ekipet më të mira të vendeve të treta. Çekia është eliminuar nga turneu.
Grupi B
Zvicra ka fituar grupin dhe ka siguruar kalimin në fazën e 1/16 finale. Kanadaja është në vendin e dytë dhe gjithashtu vijon më tej pas fitores ndaj Afrikës së Jugut në përballjet e fundit. Bosnja dhe Hercegovina, me 4 pikë, është në pozicion shumë të favorshëm dhe ka siguruar kualifikimin si një nga ekipet më të mira të vendeve të treta. Katari është eliminuar.
Grupi C
Brazili ka siguruar vendin e parë në grup dhe kalon në fazën tjetër, ku do të përballet me një nga ekipet e kualifikuara si të dyta. Maroku gjithashtu është kualifikuar dhe vazhdon më tej. Skocia mbetet në pritje të fatit si vend i tretë, ndërsa Haiti është eliminuar.
Grupi D
SHBA ka siguruar vendin e parë në grup dhe kalon më tej. Australia është në pozicion të mirë për kualifikim dhe mund të sigurojë vendin e dytë me rezultat pozitiv. Paraguaji është ende në garë për vendin e tretë, ndërsa Turqia është eliminuar.
Grupi E
Gjermania ka fituar grupin dhe është kualifikuar në 1/16 finale. Bregu i Fildishtë është shumë pranë kualifikimit, ndërsa Ekuadori dhe Curaçao mbeten në garë për vendet e mbetura dhe për një vend të mundshëm si më i miri i tretë.
Grupi F
Holanda dhe Japonia janë shumë pranë kualifikimit, me ndeshjet e fundit që do të përcaktojnë renditjen përfundimtare. Suedia ende ka shanse për kualifikim si vend i tretë. Tunizia është eliminuar.
Grupi G
Egjipti dhe Irani janë në garë të fortë për dy vendet e para në grup, ndërsa Belgjika gjithashtu ka shanse të mëdha për kualifikim. Zelanda e Re rrezikon eliminimin dhe ka nevojë për rezultat maksimal në ndeshjen e fundit.
Grupi H
Spanja dhe Uruguaji janë në pozita shumë të favorshme për kualifikim. Kepi i Gjelbër është ende në garë për vendin e tretë, ndërsa Arabia Saudite ka nevojë për fitore për të mbajtur shpresat gjallë.
Grupi I
Franca dhe Norvegjia janë tashmë të kualifikuara në fazën e 1/16 finale. Senegali dhe Iraku janë në garë për një vend si një nga ekipet më të mira të vendeve të treta dhe do të varen edhe nga rezultatet e grupeve të tjera.
Grupi J
Argjentina ka siguruar vendin e parë në grup dhe është kualifikuar. Austria dhe Algjeria janë në garë direkte për vendin e dytë dhe të tretë, me gjithçka ende të hapur për kualifikim.
Grupi K
Kolumbia ka siguruar kualifikimin dhe kryeson grupin. Portugalia është shumë pranë kalimit më tej, ndërsa Kongo dhe Uzbekistani mbeten në garë të vështirë për vendet e mbetura.
Grupi L
Anglia dhe Gana janë shumë pranë kualifikimit në 1/16 finale. Kroacia është ende në garë për një vend si më e mira e tretë, ndërsa Panamaja është eliminuar.
The post Grupet e Botërorit drejt 1/16 finale, ja tabloja e plotë aktuale. Kombëtaret e kualifikuara dhe ato të eliminuara appeared first on Telesport.








