Ogerta Manastirliu: Parlamenti Europian rrëzoi amendamentin për Zvërnecin, flamingot dhe Vjosë-Narta do të mbrohen

Deputetja e Partisë Socialiste, Ogerta Manastirliu, ka reaguar pas miratimit të Rezolutës për Shqipërinë në Parlamentin Europian, duke deklaruar se amendamenti që lidhej me Zvërnecin është rrëzuar nga shumica e eurodeputetëve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Manastirliu ka thënë se Parlamenti Europian ka ndarë, sipas saj, “stuhinë digjitale të dizinformimit për Zvërnecin” nga çështja e zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë, duke theksuar se këto dy çështje nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Ajo ka theksuar se Shqipëria vazhdon të marrë vlerësime pozitive nga institucionet europiane dhe se Bashkimi Europian po inkurajon përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendit.

Manastirliu ka kritikuar kundërshtarët e projektit në Zvërnec, duke pretenduar se protestat e nisura në emër të mbrojtjes së flamingove po përdoren për qëllime politike.

“Në çdo rast flamingot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet, Zvërneci do të zhvillohet bazuar në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standardeve të Bashkimit Europian”, ka shkruar ajo.

Sipas deputetes socialiste, zhvillimi i Zvërnecit do të realizohet duke respektuar standardet europiane për mbrojtjen e mjedisit, ndërsa Shqipëria do të vazhdojë rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.