Sezoni veror, Policia në Durrës kontrollon zhurmat në zonat turistike

Policia në Durrës ka njoftuar se ka kryer kontrolle në zonat turistike për të matur zhurmat e lokaleve e ambienteve ku ofrohet muzikë.

Sipas policisë shqiptare, këto kontrolle po bëhen në të zbatimit të detyrave të parashikuara në planin e masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror.

Në kuadër të këtyre kontrolleve, sipas policisë, janë testuar me matës të zhurmës disa ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, nëse respektojnë kufirin e lejuar të zhurmës.

“Matjet e realizuara, sipas kushteve të përcaktuara në procedurën standarde për këtë qëllim, kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar.”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, janë kryer kontrolle edhe rreth respektimit të orarit të lejuar për transmetimin e muzikës në ambiente të hapura, në zona apo qendra të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.