Në prag të zgjedhjeve, Konjufca firmosi poste diplomatike për familjarë të zyrtarëve të PDK-së

Në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka nxjerrë dekrete për dërgimin e diplomatëve në misione jashtë vendit. Emërimet përfshijnë familjarë dhe të afërm të zyrtarëve të PDK-së.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka nxjerrë dekrete për dërgimin e diplomatëve në misione jashtë vendit pas shpërndarjes së kuvendit dhe rënies së qeverisë.

Vendimmarrja ka ndodhur pikërisht në kohën e fushatës parazgjedhore, rreth tri javë para 7 qershorit, datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Caktimet janë kryer sipas rregullit të rotacionit, i cili parashihet me rregulloret e brendshme të Ministrisë së Jashtme. Ky rregull përcakton që diplomatët të shërbejnë një mandat në shërbim, një në ministri.

Mandati i ambasadorëve është katër vjeçar, sipas rregulloreve të MPJ-së.

Paparaci ka mësuar se lëvizjet e personelit diplomatik, të cilat konsiderohen si privilegj për anëtarët e shërbimit të jashtëm, përfshijnë disa anëtarë të këtij shërbimi të cilët ishin punësuar në kohën e lidershipit të PDK-së me këtë dikaster. Të emëruarit, madje janë familjarë dhe të afërm me disa prej figurave të pushtetshme të Partisë Demokratike.

Në këtë avaz emërimesh të nxjerra nga ministri në detyrë Konjufca, ka përfituar Bubulina Krasniqi, anëtare e shërbimit të jashtëm dhe njëkohësisht motra e ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Ajo është caktuar të shërbejë si diplomate në Ambasadën e Kosovës në Tiranë, raporton Paparaci.

Hatamane Krasniqi, ish-asistentja e dikur ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, është caktuar po ashtu në detyrë jashtë vendit pas aktivizimit të rotacionit diplomatik. Me vendim të ministrit Konjufca, ajo është dërguar për shërbim në Ambasadën e Kosovës në Sofje.

Një tjetër e afërme me Enver Hoxhajn, u dërgua për shërbim në Sofje të Bullgarisë. Përfitoi Leurata Berisha, mbesa e ish-ministrit, e cila është caktuar për shërbim si diplomate në këtë ambasadë.

Edhe Arjeta Gallapeni, vajza e dajëve të Enver Hoxhajt, është dërguar në mision diplomatik. Konjufca, e ka dërguar atë në shërbim diplomatik në Romë të Italisë.

Korab Mushkolaj, dhëndri i deputetes së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, është dërguar në mision diplomatik në Kolumbi, raporton Paparaci. Liridon Bajrami, nipi i ish-ministrit të Arsimit nga PDK-ja, Arsim Bajramit, është caktuar për shërbim diplomatik në Ambasadën e Kosovës në Bruksel.

Ndërkaq, Shtrojera Zogaj, vajza e ish-deputetit Bislim Zogaj, është dërguar në Ambasadën e Kosovës Uashington D.C..

Pak para këtyre emërimeve, me vendim të ish-ministres së Punëve të Jashtme, në mision jashtë vendit ishte dërguar edhe Floreta Kabashi-Ademaj, mbesa e ish-deputetit Xhavit Haliti. Ajo, ishte caktuar diplomate në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë.

Emërimet nga Konjufca vijnë rreth pesë vjet pasi ai, në kohën kur shërbeu në mandatin e parë si kryediplomat, kishte marrë vendim për shkarkimin e ambasadorëve politikë të emëruar më parë nga ish-ministrat Enver Hoxhaj dhe Meliza Haradinaj.

Shumica prej të shkarkuarve dhe të rikthyerve nga misionet diplomatike ishin të afërm me PDK-në, përfshirë Vlora Çitakun, Edon Canën dhe Lirim Grajçevcin, të gjithë anëtarë të kësaj partie.

Glasuk Konjufca pranoi mandatin e tij të dytë si ministër i Punëve të Jashtme në mars të këtij viti, pasi u nominua për këtë pozitë nga kryeministri Albin Kurti. Konjufca, shërben njëkohësisht edhe si zëvendëskryeministër i qeverisë në detyrë. /Paparaci.com