Kush me kë? Qëndrimet e qarta, por pazaret ende larg 

Pas një viti e gjysmë paqëndrueshmëri institucionale, zgjedhjet e 7 qershorit kanë hapur një fazë të re politike në Kosovë, por jo menjëherë edhe procesin e formimit të institucioneve.

Për këtë të fundit, partitë politike sinjalizojnë se do të duhet ende kohë, shkruan REL.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila ka dalë forca e parë politike, thotë se nuk do të ketë negociata zyrtare për koalicione të mundshme para përfundimit të numërimit edhe të votave të kandidatëve për deputetë.

“Është e rëndësishme që ta dimë përfundimisht se cila është përbërja e Kuvendit të ri, e legjislaturës së 11-të”, thotë për Radion Evropa e Lirë Arbërie Nagavci nga kjo parti.

Në këtë fazë, vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) shpreh qëndrim të qartë për një koalicion pa LVV-në, ndërsa subjektet tjera politike lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit mes tyre.

Njohës të zhvillimeve politike vlerësojnë se vonesat në nisjen e negociatave mund të ndikojnë në funksionalizimin e institucioneve të reja.

Sipas tyre, ato mund të bëhen edhe para certifikimit zyrtar të rezultateve, pasi ndarja e forcave politike, në një masë të madhe, tashmë është e qartë.

Kur priten rezultatet?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se rezultatet përfundimtare pritet t’i shpallë më 26 qershor, ndërsa certifikimi i tyre planifikohet të përfundojë deri më 6 korrik.

Siç qëndrojnë të dhënat në ueb-faqen e KQZ-së aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.47 për qind të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.43 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 16.96 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.51 për qind dhe Lista Serbe me 6.76 për qind.

Deri në orën 15:00 të datës 11 qershor janë numëruar edhe rreth 90 për qind e votave të kandidatëve për deputetë, ndërsa nuk janë numëruar ende votat e diasporës, ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

Partisë ose koalicionit qeverisës i duhen së paku 61 mandate deputetësh nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës.

Ndarja e mandateve në Kuvendin e Kosovës, sipas rezultateve preliminare

LVV: Bisedime vetëm pas pasqyrës së plotë të Kuvendit

Nga Lëvizja Vetëvendosje theksojnë se çdo diskutim zyrtar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës duhet të presë përfundimin e numërimit të votave për deputetë, për të pasur një pasqyrë të plotë të përbërjes së Kuvendit.

Arbërie Nagavci, ish-shefe e grupit parlamentar të LVV-së dhe aktualisht kandidate për deputete, nuk e përjashton mundësinë e kontakteve joformale me partitë e tjera, por thekson se negociatat serioze mund të nisin vetëm pasi të përfundojë procesi i numërimit.

Sipas saj, është e domosdoshme të dihet përbërja përfundimtare e Kuvendit, përfshirë edhe deputetët nga komunitetet joshumicë, para se të bëhet ndonjë marrëveshje politike.

“Është e rëndësishme ta kemi të qartë përbërjen e legjislaturës së re, dhe më pas të vazhdohet me formimin e Qeverisë dhe, pa humbur kohë, edhe me zgjedhjen e presidentit apo presidentes”, thotë Nagavci për Radion Evropa e Lirë.

Dështimi i Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ri të shtetit në përputhje me një vendim të Gjykatës Kushtetuese çoi automatikisht në shpërndarjen e tij mesnatën e 28 prillit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja më 7 qershor.

Sistemi politik në Kosovë është i tillë që për një numër vendimesh të rëndësishme, përfshirë zgjedhjen e presidentit, kërkohet shumicë prej dy të tretash në Kuvend.

Kjo e bën të domosdoshëm bashkëpunimin ndërmjet partive dhe arritjen e marrëveshjeve politike.

Nagavci thotë se një president unifikues, që nuk është i lidhur ngushtë me partitë politike, do të ishte zgjidhje e favorshme për stabilitet institucional.

PDK: Marrëveshjet duhet të arrihen para konstituimit të Kuvendit

Partia Demokratike e Kosovës shpreh gatishmëri për bashkëpunim me subjektet e tjera politike dhe nuk vendosi vija të kuqe në raport me asnjë parti – përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje – në funksion të arritjes së një marrëveshjeje eventuale për formimin e institucioneve të reja.

Radio Evropa e Lirë nuk arriti të bjerë në kontakt me drejtuesit e kësaj partie për të marrë qëndrim të detajuar mbi mënyrën se si e shohin një marrëveshje të tillë.

Por, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi për mediat më 8 qershor se partia e tij është e hapur për bisedime me të gjitha subjektet politike, pa përjashtuar as LVV-në, me të cilën, në të kaluarën, ka pasur dallime të theksuara politike dhe retorikë të ashpër.

“Mendoj se për të pasur institucione shpejt dhe të qëndrueshme, duhet të ketë marrëveshje politike qysh tash, ende pa filluar konstituimi i Kuvendit, formimi i Qeverisë dhe pastaj zgjedhja e presidentit”, tha Hamza.

Ai shtoi se preferencë e tij do të ishte krijimi i një qeverie nga partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë.

LDK: Vonesa dëmton procesin politik

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës thonë se janë të gatshëm për bashkëpunim dhe marrëveshje për institucionet e reja, por, sipas tyre, nisma duhet të vijë nga partia fituese, LVV.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se bisedimet duhet të fillojnë menjëherë dhe se nuk ka arsye të pritet certifikimi i rezultateve.

“Unë e quaj arrogancë politike çdo vonesë, çdo ditë të humbur dhe çdo ditë me mungesë bashkëpunimi. Është sinjal i keq”, thotë Haziri për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se të gjitha subjektet politike, përfshirë edhe LDK-në, duhet ta kuptojnë se bashkëpunimi ndërpartiak nuk është vetëm çështje vullneti politik, por edhe pjesë e frymës kushtetuese.

“Në momentin kur LDK-ja të ulet në tavolinë për bisedime, do të jetë e gatshme të diskutojë si për zgjedhjen e presidentit, ashtu edhe për formimin e Qeverisë si institucion”, thekson Haziri.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK-ja ka garuar me Vjosa Osmanin si kandidate për presidente dhe Lumir Abdixhikun si kandidat për kryeministër.

Pas shpalljes së rezultateve të para, Osmani ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arsye ta refuzojë kandidaturën e saj, por, në një postim në Facebook të nesërmen, ka shkruar se emri i saj “as nuk ka qenë, as nuk është dhe as nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve”.

AAK: Pa LVV-në në Qeveri dhe në pritje të certifikimit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mban një qëndrim më të prerë, duke deklaruar se nuk do të hyjë në marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, thotë për Radion Evropa e Lirë se, fillimisht, duhet të përfundojë procesi i certifikimit të rezultateve, e më pas të diskutohen opsionet për formimin e institucioneve të reja.

“Duhet pritur certifikimi dhe pastaj të shohim se si do të ecim më tutje”, thotë ai, duke shtuar se AAK-ja preferon një koalicion të partive që deri tani kanë qenë në opozitë.

Sipas tij, LVV-ja duhet të kalojë në opozitë, për shkak të “dëmeve” që i ka shkaktuar vendit.

Kritikat e AAK-së ndaj Qeverisë së LVV-së kanë qenë të vazhdueshme – qoftë për stagnim ekonomik apo për prishje të marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë – por ato nuk janë përfillur nga partia në pushtet.

Pa marrëveshje politike, vendi rrezikon zgjedhje të reja

Analisti dhe profesori i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Rrahman Paçarizi, vlerëson se nisja e bisedimeve zyrtare ndërmjet subjekteve politike për arritjen e një marrëveshjeje që do të çonte drejt konsolidimit të institucioneve të reja, nuk duhet të presë domosdoshmërisht certifikimin e rezultateve zgjedhore.

Megjithatë, ai nuk pret që bisedimet të fillojnë pa një pasqyrë më të qartë të përbërjes së re të Kuvendit, e cila do të kompletohet pas numërimit të të gjitha votave – përfshirë ato të diasporës, me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, që në total arrijnë rreth 130 mijë.

“Votat e diasporës mund ta ndryshojnë numrin e deputetëve, por jo renditjen e partive politike”, thotë Paçarizi për Radion Evropa e Lirë.