Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se aktualisht Kosova nuk ka nevojë për protesta, por për konsolidimin sa më të shpejtë të institucioneve dhe vazhdimin e punëve në interes të qytetarëve.
Ajo tha se pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, institucionet duhet të formohen dhe të vazhdojnë punën në projektet e rëndësishme për vendin. Sipas Nagavcit, sektori i energjisë mbetet një nga prioritetet kryesore, duke theksuar se qeveria ka punuar maksimalisht përballë sfidave të shumta në këtë fushë.
Nagavci nënvizoi rëndësinë e miratimit urgjent të Projektligjit për Energjinë dhe Projektligjit për Energjinë Elektrike, të cilat nuk arritën të kalojnë në legjislaturën e kaluar. Sipas saj, këto iniciativa ligjore janë thelbësore për avancimin e sektorit energjetik dhe duhet të trajtohen menjëherë pas konstituimit të Kuvendit.
Lidhur me çështjen e gazit amerikan, Nagavci tha se për momentin nuk mund të japë një qëndrim konkret, por theksoi nevojën që vendi të vazhdojë me zhvillimin e politikave energjetike në përputhje me strategjinë e miratuar dhe prioritetet e sektorit.







