IKD: KPM po cenon seriozisht lirinë e mediave, po merr kompetenca që nuk i takojnë

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) është shprehur i shqetësuar me vendimmarrjen e fundit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).

Ky institut ka vlerësuar se KPM është duke cenuar seriozisht lirinë e mediave në Kosovë.

Në reagimin e IKD-së është bërë me dije se vendimet e këtij institucioni paraqesin tejkalim të mandatit ligjor të KPM-së dhe krijojnë standard të rrezikshëm për funksionimin e mediave, debatit publik dhe demokracisë.

“Në vendimmarrjen e saj, KPM është duke marrë kompetenca që nuk i takojnë rregullatorit, por gjykatës. Përmes këtyre vendimeve, KPM po shqipton sanksione ndaj mediave për deklarata të personave të tretë, të dhëna në debate televizive, duke ua mveshur mediave përgjegjësi automatike për çdo fjalë të të ftuarve. Një qasje e tillë është e kundërligjshme dhe e papranueshme në një shoqëri demokratike”, është thënë në reagimin e IKD-së.

Sipas IKD-së, KPM-ja është rregullator i mediave, jo gjykatë që shqyrton përgjegjësinë për shpifje apo ofendim ndaj palëve të treta.

“Detyra e KPM-së është të vlerësojë nëse mediumi ka respektuar standardet profesionale: a ka ndërhyrë moderatori kur ka qenë e nevojshme, a është dhënë mundësi për përgjigje, a është bërë dallimi mes faktit dhe opinionit, a është ruajtur balanca dhe a është vepruar me kujdes editorial. Por, KPM nuk ka kompetencë të konstatojë vetë se një deklaratë është shpifje, e pavërtetë apo dëmtuese për reputacionin e dikujt. Këto janë çështje që mund të iniciohen me padi civile nga palët që potencialisht mund të konsiderojnë se iu është cenuar ndonjë e drejtë dhe atë përmes rrugëve gjyqësore”, është thënë në reagim.