Bajrami: Kosova duhet të forcojë kapacitetet institucionale dhe diplomatike përballë ndryshimeve gjeopolitike

Ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka njoftuar se në ambientet e Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është mbajtur Konferenca Shkencore me temën “Ndryshimet Gjeopolitike dhe Sfidat për Shtetin e Kosovës”, ku kanë marrë pjesë akademikë, profesorë universitarë dhe studiues nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Bajrami ka bërë të ditur se ka qenë iniciator, propozues dhe organizator i kësaj konference, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të komunitetit akademik në adresimin e sfidave me të cilat përballet shteti i Kosovës në një periudhë të ndryshimeve të mëdha ndërkombëtare.

“Sot, në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, u mbajt Konferenca Shkencore ‘Ndryshimet Gjeopolitike dhe Sfidat për Shtetin e Kosovës’, e cila mblodhi akademikë, profesorë universitarë dhe studiues nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për të diskutuar zhvillimet më të rëndësishme gjeopolitike dhe ndikimin e tyre në të ardhmen e shtetit të Kosovës. Kam pasur nderin që të jem iniciator, propozues dhe organizator i kësaj konference, me bindjen se në kohën e transformimeve të mëdha ndërkombëtare është e domosdoshme që komuniteti akademik të ofrojë analiza shkencore dhe vizione strategjike për sfidat me të cilat përballet Republika e Kosovës”, ka shkruar Bajrami.

Ai ka treguar se në kuadër të konferencës ka prezantuar edhe kumtesën e tij me temën “Ndryshimet gjeopolitike dhe sfidat për shtetin e Kosovës”, duke u fokusuar në zhvillimet e rendit të ri ndërkombëtar dhe ndikimin e tyre në vend.

“Në kuadër të konferencës pata kënaqësinë të prezantoj edhe kumtesën time me temën ‘Ndryshimet gjeopolitike dhe sfidat për shtetin e Kosovës’, ku trajtova ndikimin e rendit të ri ndërkombëtar, dinamikat e sigurisë, proceset integruese euroatlantike, sfidat ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe nevojën për forcimin e kapaciteteve kushtetuese, institucionale dhe diplomatike të shtetit tonë”, është shprehur ai.

Sipas Bajramit, konferenca ka dëshmuar rëndësinë që ka mendimi shkencor në hartimin e politikave publike dhe në mbrojtjen e interesave strategjike të Kosovës.

“Konferenca dëshmoi edhe një herë rëndësinë e dialogut shkencor dhe të mendimit akademik në ndërtimin e politikave publike dhe në mbrojtjen e interesave strategjike të Republikës së Kosovës. Falënderoj Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të gjithë referuesit, pjesëmarrësit dhe kolegët për kontributin e tyre në suksesin e kësaj konference, e cila besoj se do të shërbejë si një pikë e rëndësishme referimi për studimet dhe debatet e ardhshme mbi pozitën gjeopolitike dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës”, ka shtuar Bajrami.