Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, tha se dita e zgjedhjeve ka kaluar qetë dhe se qytetarët kanë treguar maturi demokratike, ndërsa theksoi se rezultatet duhet të priten nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Pas përfundimit të procesit të votimit, Çeku tha se vullneti i qytetarëve tashmë ndodhet në kutitë e votimit dhe se në orët në vazhdim priten rezultatet zyrtare nga KQZ-ja.
“Vullneti i qytetarëve është brenda kutive të votimit dhe po besoj që në orët në vazhdim do t’i kemi rezultatet zyrtare nga KQZ-ja. Ka qenë një ditë e qetë e mirë një ditë për demokracinë prandaj unë i përgëzoj gjithë qytetarët për maturinë që e kanë treguar. Tash duhet të presim që procesi i numërimit përfundoj dhe t’i kemi rezultatet përfundimtare nga të gjithë”, tha ai.
Çeku refuzoi të komentojë exit poll-et, duke kërkuar respekt për institucionet që po administrojnë procesin zgjedhor.
“Unë nuk dua t’i komentoj exit pollet sepse e kemi KQZ-në institucionin e shtetit që po e bën numërimin. Duhet të tregojmë respekt edhe ndaj Atyre komisionerëve, vëzhguesve. Unë besoj që e drejta e votës është e vullnetit të lirë të secilit. Të gjithë duhet t’i bëjnë analizat dhe vlerësimet tona të nevojshme. Kjo është pyetje për gjithë spektrin politik të Kosovës mirëpo sonte fillimisht duhet ta kremtojmë një ditë të qetë një rikonfirmim të demokracisë në vendin tonë dhe ta presim rezultatin përfundimtar nga KQZ-ja sepse atje po bëhet punë e madhe. Dhe ata njerëz meritojnë respektin e të gjithë neve. Unë ju uroj juve punë të mbarë edhe faleminderit shumë që jeni këtu”, tha ai.
I pyetur për pritjet e Lëvizjes Vetëvendosje nga rezultati zgjedhor, Çeku tha se nuk sheh indikacione për rënie të mbështetjes. “Nuk ka kurrfarë indikacioni për ulje. Unë besoj që rezultati do të jetë shumë i mirë për Lëvizjen Vetëvendosje. Por tashmë procesi ka përfunduar dhe po bëhet numërimi prandaj ta presim rezultatin zyrtar nga KQZ-ja. Faleminderit shumë për të gjithë juve”, tha ai.








