Abdixhiku: Sot është ditë feste për Kosovën, qytetarët vendosin për 4 vitet e ardhshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër nga kjo parti, Lumir Abdixhiku, ka shfrytëzuar të drejtën e votës në zgjedhjet e sotme.

Abdixhiku votoi në qendrën e votimit të vendosur në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë.

Pas votimit, ai vlerësoi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke thënë se Kosova po organizon zgjedhje demokratike dhe në përputhje me standardet.

“Fatmirësisht, Kosova organizon zgjedhje të mira dhe të mbara demokratike. Sot presim në këtë ditë të mirë e të bukur edhe zgjedhje të mira demokratike. Deshta, në emër të LDK-së, t’i falënderoj të gjithë komisionerët e të gjitha partive, të cilët po bëjnë një punë të shkëlqyeshme në mbarëvajtjen e këtij procesi. Të uroj Prokurorinë e Kosovës që siguron që ky proces të jetë i drejtë dhe i mbarë, Policinë e Kosovës dhe natyrisht anëtarët e KQZ-së, si dhe ju mediat që keni nisur ditën që nga mëngjesi herët dhe po punoni deri në fund të saj për t’i informuar qytetarët. Është ditë feste, ditë gëzimi për Kosovën. Janë të gjitha kushtet që Kosova të vendosë fatin e saj për katër vitet e ardhshme”, tha Abdixhiku./Klankosova.tv